Shkeljet me tenderat, KLSH zbulon si abuzohet me kontratat

Kontrolli i Lartë i Shtetit jep alarmin për abuzimet me tenderat. Në raportin e periudhës janar-qershor, të këtij viti, evidentohet edhe zinxhiri i abuzimeve që fillon me planifikimin e projekteve, në lidhjen e kontratave e deri në zbatimin e tyre.

“Dëmi ekonomik në fushën e prokurimeve publike konstatohet si shkelje në: përgatitjen e dokumentacionit të tenderit, hartimin e specifikimeve teknike dhe kritereve të vlerësimit; llogaritjen e vlerës së kontratës; respektimin e kufijve monetar / përzgjedhjen e procedurës së prokurimit publik; paraqitjen dhe pranimin e ofertave; hapjen dhe shqyrtimin e ofertave të paraqitura në konkurrim; në njoftimin e fituesit, në procedurat e prokurimit me një ofertues, në lidhjen e kontratave dhe marrëdhëniet me nënkontraktorët, arkivimin e dosjeve për tenderat e zhvilluar; zbatimin e kontratave nga kontraktorët në përputhje me kushtet e përgjithshme etj.”, evidenton KLSH.

Në total, për periudhën janar – qershor 2020, vetëm nga auditimi i procedurave të prokurimit ka një dëm ekonomik në shumën 336 milionë lekëve, nga të cilat vlera 270 milionë lekë ose 81% e totalit të dëmit është në procedurat e prokurimit dhe 65,3 milionë lekë ose 19% e totalit të dëmit të evidentuar gjatë zbatimit të kontratave dhe dorëzimit të punimeve.