Sondazh: Sa ju kanë funksionuar dietat e shpejta pranverore?
  • Gjithmonë 18%
  • Me raste 45%
  • Asnjëherë 36%

Investimi te rrugët, Bushati: Vendi ka nevojë për punë publike. Soko: Hije dyshimi për synimet e qeverisë

Nga A2 CNN
9 Dhjetor 2020, 21:41 | Ekonomi
Investimi te rrugët, Bushati: Vendi ka nevojë për punë

Rrugët janë rikthyer në vëmendjen e qeverisë, në fund të këtij mandati të dytë e në prag të vitit të ardhshëm elektoral. Por, rrugët janë rikthyer edhe në vëmendjen e opinionit publik, së bashku me problematikat që i shoqëron, pjesë e të cilave janë edhe abuzimet me tenderat e më pas, në një reaksion zinxhir me zbatimin e punimeve. Janë rikthyer në vëmendjen e ekspertëve për kostot e larta që duhen paguar nga buxheti i shtetit, e që në këtë periudhë pandemie duken luks i papërballueshëm.

“Për milionat e tenderave në rrugë pa rrugë” u diskutua këtë të mërkurë në A2 Business Week. Për pjesën e dukshme, por edhe për atë të padukshme të mënyrës sesi përzgjidhet rrugët që do të financohen, apo edhe për skemat e prokurimeve publike që paracaktojnë fitues dhe kushtëzojnë më pas, çmime të papërballueshme për të gjithë.

Deputeti i PS, Ervin Bushati, u shpreh se për shkak të vështirësive ekonomike, vendi ka nevojë më shumë se kurrë më parë për punë publike. “Është një vit shumë i vështirë për ekonominë shqiptare. Kërkohet një ndërhyrje masive, jo vetëm në pikëpamjen e mirëmbajtjes dhe shëndetësisë së qytetarëve, por edhe fronteve të punës që mund të hapen që ekonomia të vazhdojë të punojë. Duke pasur parasysh që Shqipëria, pas një tërmeti dhe një pandemie, ka nevojë më shumë se kurrë më parë për financime dhe punë publike që do të mbanin të punësuar, do të mund të mbanin gjallë ekonominë, patjetër që buxheti i vitit 2021, me investime në masën 7,5% në raport me GDP është lëvizja e duhur”.

https://a2news.com/2020/12/08/abuzimet-me-tenderat-guxholli-qeveria-po-keqperdor-parane-publike/

Por, pse janë zgjedhur dy projektet e mëdha infrastrukturore, Milot-Fier dhe tuneli i Llogarsë? “Janë një sërë rrugësh ku është investuar në vitin 2020. Lidhja ndërmjet Milotit dhe Fierit është shtylla kurrizore e infrastrukturës së Shqipërisë. Mendoj që studimet e fizibilitetit, derisa financohen nga këto institucione ndërkombëtare, patjetër që janë ato të duhurat. Shqipëria është kaq mbrapa me infrastrukturën rrugore sa që edhe nëse do të ndërtonte në 20 vite, sërish do të ishin rrugë të nevojshme të gjitha. Unë mendoj se ajo që duhet të financohet dhe të ecë me shumë shpejtësi është unaza e Tiranës. Këtë nuk e them vetëm si deputet i Tiranës, por e them edhe si vendi ku 80% e ekonomisë shqiptare do të kalojë në atë unazë. Mendoj se është rruga më e domosdoshme dhe që duhet të ecë më shpejt. Më vjen keq që ka rënë pre e një loje politike që e mbajti peng për një vit e gjysmë duke ndaluar ecurinë e punimeve sepse i shërben të gjithë shqiptarëve”, u shpreh Bushati.

Ndërkohë, Pano Soko, ekspert për ekonominë, përfaqësues nga Nisma Thurje, u shpreh se ka hije të forta dyshimi që qeveria nuk po i përdor këto projekte për zhvillim infrastrukturor, por sepse jemi në vit elektoral.

“Lancimi i të gjitha prioriteteve që bën qeveria, i të gjitha veprave që do të investojë qeveria, për shkak të natyrës dhe mënyrës së financimit të tyre, për shkak të kostove shumë të mëdha që mbartin, lënë hije shumë të forta dyshimi që vërtetë nuk është nevoja për zhvillim infrastrukturor ajo që udhëheq logjikën dhe filozofinë e qeverisë, por është fakti që nëpërmjet investimeve në rrugë, ne mund të impelemtojmë atë që njihet si buxheti elektoral në një vit elektoral. Është e vërtetë që do të kemi një bum të madh investimesh, që vijnë kryesisht për shkak të tërmetit, por nëse qeveria do ta kishte parë pjesën e investimeve si ilaçi për të shëruar ekonominë shqiptare, atëherë ja ku janë bizneset, ja ku janë investitorët që janë prekur dhe fare mirë mund të ndërtonte paketa ndihme për ata investitorë që kanë humbur punëtorët e tyre”, u shpreh Pano Soko.

https://a2news.com/2020/12/07/tenderet-e-rrugeve-prifti-liston-problemet-instrument-korrupsioni/
https://a2news.com/2020/12/07/rruget-ne-shqiperi-me-shtrenjte-se-ne-vendet-e-be-shembulli-tipik-milot-fier/

A2 CNN Livestream

Dita jonë