Vrasja e Klodian Rashës, Sandër Lleshaj jep dorëheqjen. Protesta në disa qytete

Përditësuar më: 10/12/2020, ora 22:15

Vrasja e Klodian Rashës, Sandër Lleshaj jep dorëheqjen. Protesta në disa qytete

Përditësuar më: 10/12/2020, ora 22:15

Ndiqni zhvillimet live në A2

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale informon se, aktualisht po marrin shërbim në spitalin e Traumës pesë punonjës të policisë dhe dy protestues.

20:20 – Vijon protesta në Tiranë. Pasi ishin të grumbulluar te godina e Ministrisë së Brendshme, më pas te kryeministria, protestuesit janë ndarë në disa grupe.

19:15 – Po ashtu si një ditë më parë, protesta është zhvendosur nga godina e Ministrisë së Brendshme, te godina e Kryeministrisë. Në ndryshim nga një ditë më parë, numri i efektivëve të policisë është më i madh, ndërsa pjesë e tyre janë edhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë.

19:06 – Rama pas dorëheqjes së Lleshajt: Respekt për përkushtimin, punën dhe burrërinë

“Respekt e faleminderit për përkushtimin, punën, burrërinë dhe vërtetësinë e të treja këtyre i dashur Sandër”.

18:42 – Pasi shpërndau turmën e protestuesve me gaz lotsjellës dhe më pas me makinat e ujit, policia ka nisur edhe arrestimet në radhët e protestuesve.

18:42 – Policia shpërndan protestuesit te godina e Ministrisë së Brendshme duke përdoruar makinat e ujit.

18:25 – Një grup qytetarësh vijon të hedhë sende të forta në drejtim të ministrisë, ndërsa forcat e policisë janë kundërpërgjigjur duke hedhur gaz lotsjellës.

18:20 – Jep dorëheqjen ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj

Në mesazhin e tij mbi vrasjen e Klodian Rashës, kryeministri Rama u shpreh se ministri Lleshaj i kishte vënë në dispozicion dorëheqjen. Kryeministri theksoi se e vlerëson atë për sensin qytetar, ndërsa e distancoi nga ngjarja. 

“Lleshaj më vuri në dispozicion dorëheqjen e tij menjëherë pas ngjarjes. I thash të më presë të kthehem. Jemi takuar edhe sot dhe jam shumë krenar për sensin e përgjegjësisë qytetare të Sandër Lleshajt. Por në këtë vend nuk janë të gjithë njësoj. Ai nuk ka asnjë lidhje me aktin e rëndë të vrasjes së një djali 25-vjeçar”, u shpreh Rama.

Lajmi i dorëheqjen së Lleshajt është konfirmuar edhe nga Kryeministria. Burime nga mazhoranca bëjnë me dije se vendin e Sandër Lleshajt, pritet ta zërë një nga zv/ministrat aktualë.

18:12 – Protestuesit e irrituar nisën të qëllojnë menjëherë me sende të forta në drejtim të godinës së Ministrisë së Brendshme dhe efektivëve të policisë.

***

Ka nisur përpara Ministrisë së Brendshme protesta e radhës për vrasjen e 25-vjeçarit Klodian Rasha nga policia.

Dhjetëra të rinj janë mbledhur sërish, ashtu si një ditë më parë, për të kërkuar drejtësi për të riun e vrarë dhe dorëheqjen e ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj.

Protesta është organizuar nga shoqëria civile dhe thirrja për pjesëmarrje në të është shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale.

Ndryshe nga dje, godina e ministrisë është rrethuar nga dhjetëra efektivë policie. Në protestët e djeshme u shënuan dhe disa incidente, ku pjesëmarrësit u përleshën me policinë përpara ministrisë e Kryeministrisë dhe për këtë arsye disa efektivë mbetën të lënduar. Gjithashtu u shkatërruan dhe dekorimet për festat e fundvitit në disa zona të kryeqytetit.

Protesta të ngjashme janë mbajtur mbrëmë dhe sot dhe në disa qytete të tjera të vendit, ndërkohë që policia ka nisur procedim ndaj organizatorëve të tyre.

Klodian Rasha, 25 vjeç, u qëllua për vdekje me dy plumba nga një efektiv, gjatë natës mes 8 dhe 9 dhjetorit, pasi po e ndiqte sepse kishte shkelur orën policore, të vendosur për të frenuar përhapjen e koronavirusit në vend. Ky i fundit, është arrestuar për tejkalim të kushteve të vetëmbrojtjes.