Rivlerësimi i banesave, qeveria shtyn afatin për në 30 shtator

Afati për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme është shtyrë sërish nga qeveria, që do t’u japë më tepër kohë qytetarëve të përfitojnë nga ky proces.

Afati duhet të ishte data 31 dhjetor 2020, por për shkak të pandemisë do të përfundojë 9 muaj më pas, më 30 shtator 2021.

Rivlerësimi ndihmon të gjithë ata që planifikojnë të shesin banesën e tyre, tokën apo një ndërtim tjetër, duke paguar vetëm 3% të bazës së tatueshme, kundrejt 15% që do të paguanin pa e bërë rivlerësimin.

Si shembull, marrim një apartament të blerë disa vite më parë për 50 mijë euro, por që sot ka një vlerë tregu prej 70 mijë eurosh. Nëse pronari i këtij apartamenti do ta shiste pa bërë rivlerësimin, ai do të paguante 15% të fitimit të nxjerrë prej 20 mijë eurosh, pra 3 mijë euro.

Duke bërë rivlerësimin, ai paguan paraprakisht 600 euro dhe nëse e shet pronën për 70 mijë euro nuk paguan më taksë, duke kursyer efektivisht 2400 euro.

Për të përfituar nga ky shërbim, individët mund të aplikojmë përmes e-Albania dhe kërkesa ndiqet më pas nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës. Krahas ASHK, rivlerësimin e pasurisë mund ta bëjë edhe një ekspert i vlerësimit të pasurive i licencuar.