Dhuna në protesta, institucionet e mbrojtjes së të miturve: E papranueshme

Protestat e thirrura për drejtësinë e Klodian Rashës janë shoqëruar me dhunë nga të dyja anët. Pjesëmarrjen më të lartë në këto protesta e kanë pasur adoleshentët, një pjesë e të cilëve kanë përfunduar edhe në komisariat.

Institucionet shtetërore të mbrojtjes nga dhuna dhe diskriminimi thonë se sjellja e efektivëve të policisë ndaj të miturve është e papranueshme.

Sipas Robert Gajdës, komisionerit për mbrojtjen nga diskriminimi “e drejta për protesta është absolute, por e drejta për dhunë nuk ekziston. Kështu që pjesëmarrja e të miturve në protesta të dhunshme krijon një problem shumë të madh, për integritetin e tyre fizik dhe psikologjik.

Për Avokatin e Popullit,  Erinda Ballanca, “pjesa më e madhe e protestuesve janë shoqëruar thjesht për pjesëmarrje në proteste, jo për akte dhune”.  

Mbajtja në komisariat e të miturve është një tjetër shkelje ligjore. Avokati i Popullit thotë se e pamenaxhueshme ka qenë vetëm nata e parë e protestës.

“Përtej ditës së parë, kur komisariatet nuk ishin të përgatitur për një numër aq të lartë të miturish, ditët në vijim numri i të shoqëruarve, edhe pse i lartë, ka qenë për një afat më të shkurtër”, thotë ajo.  

Edlira Çepani, aktiviste për të drejtat e njeriut thotë se “mënyra sesi duhet një i mitur duhet të trajtohet nga policia është e ngjashme me atë që një prind trajton një fëmijë kur bëhet agresiv. Pra e rreh më shumë që të bëhet më agresiv, apo e qetëson dhe i garanton mirëqenien?”

Përtej tensioneve të shfaqura nga të rinjtë protestues, shoqëria civile ngre zërin se sjellja ndaj tyre duhet të ketë tone më të zbutura. Në të kundërt pasojat sociale priten të larta.

Për Edlira Çepanin, aktiviste për të drejtat e njeriut, ”dhuna e policisë ndaj protestuesve është pa proporcion me përmasat e saj. Mënyra sesi duhet të trajtohet nga policia është e ngjashme me atë që një prind trajton një fëmijë kur bëhet agresiv. Pra e rreh më shumë që të bëhet më agresiv, apo e  qetëson dhe i garanton mirëqenien?”.