Tkurren burimet, 1,3 mld euro më pak hynë në ekonomi

Mbi 1,3 miliardë euro mungojnë për 9 muajt e parë të vitit, nga kanalet kryesore që furnizojnë ekonominë me valutë: eksportet, investimet e huaja, remitancat dhe turizmi. Të dhënat e ndërthurura nga INSTAT dhe Banka e Shqipërisë flasin për një rënie dramatike në secilin prej këtyre burimeve, të prekur nga pandemia.

Tregtia e jashtme u paralizua gjatë muajve të fundit, teksa partnerët kryesorë si Italia dhe Spanja u përballën me një valë të madhe infektimesh. Për periudhën janar-tetor, vendi eksportoi 221.3 miliardë lekë mallra, rreth 31 miliardë lekë më pak se një vit më parë. Në valutë kjo përkthehet në rreth 250 milionë euro shitje të munguara për kompanitë shqiptare.

Banka e Shqipërisë nga ana tjetër deklaron se Investimet e Huaja Direkte u tkurrën në 691 milionë euro për 9-mujorin, 110 milionë euro më pak nga e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

Rënie e ngjashme raportohet edhe për të ardhurat nga emigrantët, që sollën te familjet e tyre 470 milionë euro, rreth 50 milionë euro më pak.

Goditja më e madhe erdhi sigurisht nga turizmi, sektori më i prekur nga pandemia. Pavarësisht turizmit patriotik nga Kosova që kontribuoi në të ardhura prej 732 milionë eurosh deri në shtator, shifra është më pak se gjysma e shpenzimeve që bënë turistët vitin e kaluar. Për rrjedhojë, sektori grumbulloi 904 milionë euro më pak. Mungesa e jashtëzakonshme e këtij fluksi parash do të ndihet edhe vitin e ardhshëm, kur pritet të nisë rimëkëmbja ekonomike pas krizës.