Numërohen votat elektorale, zyrtarizohet fitorja e Joe Biden

biden 2 1 1100x620

Pas një dite të gjatë, numërimi i votave elektorale që sigurojnë zgjedhjen e presidentit të ardhshëm amerikan, ka dhënë verdiktin e tij final, dhe është sërish në favor të demokratit Joe Biden dhe zëvendëspresidentes Kamala Harris. Biden-Harris morën 306 nga 538 mandatet totale, ndërkohë që Trump dhe Pence u ndalën në 232.

Numërimi zyrtarizon praktikisht fitoren e demokratit. Numërimi i votave elektorale zakonisht ka qenë thjesht pjesë e ceremonialit të zgjedhjeve presidenciale, por paditë e shumta të Trump për parregullsi në shtete të ndryshme i kishin dhënë një rëndësi që nuk ka pasur kurrë në historinë moderne amerikane.

Tashmë votat pritet të certifikohen nga Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati. Teorikisht, në qoftë se Kongresi së bashku voton kundër mandateve mund të ketë ende një shpresë teorike për Trump, por diçka e tillë nuk ka ndodhur nga viti 1877.

Fjalët e para të Biden ishin, “ka ardhur koha të bashkohemi, dhe të mbyllim një kapitull. Do të jem presidenti i të gjithëve”.

Ndërkohë që demokrati përgatitet tashmë për ceremoninë e janarit në Uashington, Trump sot zyrtarizoi shkarkimin e ministrit të Drejtësisë William Barr, që sipas tij nuk bëri mjaftueshëm për të “zbuluar” atë që ai cilëson si vjedhjen elektorale demokrate.