Rimbursimi i ilaçeve Covid, Labaj: Ka raste kur tejkalohet shuma e mbuluar nga fondi

Pacientët me Covid-19 duhet të kurohen me vetëm 10 mijë e 900 lekë, pasi çdo kosto shtesë ata duhet ta paguajnë nga xhepi. Mjekët e familjes thonë se ka raste kur kjo vlerë limit e akorduar nga Fondi i Kujdesit Shëndetësor tejkalohet.

Pacientët e prekur nga pandemia e Covid-19 kanë në dispozicion deri në 10 mijë e 900 lekë për t’u trajtuar. Në bazë të vlerësimit të mjekut të familjes pacientët përfitojnë rimbursimin e ilaçeve deri në trajtimin e plotë të tyre. Mjekja Entela Labaj tregon sesi po menaxhohet regjistrimi i çdo pacienti që ka nevojë për të përfituar recetat falas.

“Hapet regjistër online, krijohet receta, nëpërmjet barkodit merr edhe ilaçet”.

Ka raste kur pacientët tejkalojnë këtë vlerë, për të cilën duhet ta mbulojnë personalisht. Sipas mjekes, kjo ndodh kur kërkohet një medikament më cilësor.

Entela Labaj thotë se shmangia e shpenzimeve të tepërta mund të arrihet vetëm nëse pacientët paraqiten në stade fillestare.

“Me vitamino-terapi është gjëja më e mirë. Po erdhi pacienti pas 10 ditësh, normal që do të bombardohet me ilaçe”.

Skema e rimbursimit të barnave për pacientët me Covid-19 është kritikuar si e pazbatueshme nga opozita. Sipas saj, nuk rimbursohet i gjithë mjekimi në shtëpi, ndërsa për shitjen e ilaçeve janë favorizuar 5 kompani farmaceutike.

  • LAJMI I FUNDIT | Absolut 4, Opozita në zgjedhje
  • LAJMI I FUNDIT | I ftuar: Fatmir Mediu, kryetar i Partisë Republikane
  • LAJMI I FUNDIT | Mediu: Mbështetja e Vucic për Ramën, skandaloze