Bizneset: Kërkesat tona ndaj qeverisë nuk dëgjohen

a2bw 1 1100x620

Sekretari i Përgjithshëm i Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë, Arben Shkodra, u shpreh në “A2 Business Week” se, “kërkesat e biznesit janë konkrete, por nuk janë marrë parasys” nga qeveria”.

“Problemi më i madh është rënia e produktivitetit. Kemi rënie të eksporteve, pasi tregjet e huaja po përgjigjen keq. Kemi edhe shtim të papunësisë. Fundviti na gjen në situatë jo shumë të mirë”, theksoi Shkodra.

Ndërsa, kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, Nikolin Jaka, shtoi se, “sa më shumë që ne kërkojmë, ne nuk bëjmë asgjë tjetër veçse retorikë, pasi kërkesat tona nuk dëgjohen”.

“Sipërmarrja private, që nga nisja e pandemisë, ka hartuar platformë në formën e kërkesave për qeverinë dhe kemi dy paketa ndihme për sipërmarrjen private, ku shumica e fondeve ishte e fokusuar te kompensimi i pagave. Sa më shumë që ne kërkojmë, ne nuk bëjmë asgjë tjetër veçse retorikë, pasi kërkesat tona nuk dëgjohen”, tha Jaka.

Por, sipas zv.ministrit të Financave, Besart Kadia, “bizneset janë dëgjuar”.

“Madje, u kemi kërkuar që të jenë më të detajuar në kërkesat e tyre. Janë dëgjuar dhe do të dëgjohen”, nënvizoi Kadia.