Operacioni “Hapësira” në Vlorë, gjykata lë në arrest me burg 27 persona

Gjykata e Vlorës, në një seancë maratonë, ka konfirmuar këtë të mërkurë masat e sigurisë arrest me burg për 27 persona, të arrestuar pak ditë më parë në kuadër të operacionit policor “Hapësira”, në goditjen e një rrjeti në kultivimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike.

Nga 28 masat e sigurisë arrest me burg, 27 persona ishin në sallë, ndërsa një është shpallur në kërkim. Në total, Prokuroria dhe Policia e Vlorës kanë listuar 47 persona të dyshuar si të implikuar në këtë rrjet, në kuadër të organizatës kriminale. Përveç 27 personave që janë me masën e sigurisë arrest me burg, pjesa tjetër e personave të dyshuar në këtë aktivitet të paligjshëm do të jenë me masa më të buta sigurie, si arrest shtëpie, detyrim paraqitjeje apo pezullim nga aktiviteti publik që kanë patur.

Mes personave të dyshuar janë edhe 5 punonjës policie, me poste bazë dhe drejtuese të Policisë së Himarës. 4 prej punonjësve të policisë akuzohen për shpërdorim detyre, ndërsa një prej tyre akuzohet si i përfshirë drejtpërdrejtë në këtë rrjet të kultivimit dhe trafikimit të kanabisit.

Policia dhe Prokuroria e Vlorës kishin muaj që zhvillonin hetimet për goditjen e këtij rrjeti duke përdorur metoda speciale të hetimit, veçanërisht përgjime telefonike.

Sakaq, burime pranë grupit të hetimit janë shprehur se verifikimet po vijojnë dhe nuk përjashtohet mundësia e arrestimeve apo procedimit të personave të tjerë që vazhdojnë të dalin nga analiza e provave dhe përgjimeve të kryera.

Ndërkohë, për shkak të numrit të lartë të të arrestuarve dhe faktit që të gjithë duhet të ishin të pranishëm në gjykatë, pasi i përkasin të njëjtës dosje, është thyer çdo normë dhe protokoll anticovid, i cili përcakton grumbullim në një vend të jo më shumë se 10 personave.