Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 33%
  • Qendrat historike 17%

Vrasja e Klodian Rashës, rëndohen pozitat e policit. Prokuroria shkon te "vrasja me dashje"

Nga A2 CNN
16 Dhjetor 2020, 16:18 | Kronikë
Vrasja e Klodian Rashës, rëndohen pozitat e policit. Prokuroria shkon

Rëndohet pozita penale e Nevaldo Hajdarajt, punonjësit të policisë të dyshuar për vrasjen e Klodian Rashës. Prokuroria e Tiranës ka vlerësuar se provat e reja të siguruara nga hetimi diktojnë ndryshimin e kualifikimit të veprës penale për të cilën ai akuzohet, nga “vrasje në kapërcim të mbrojtjes së nevojshme”, në atë të “vrasjes me dashje”.

Kjo do të thotë që nëse me veprën e parë, për të cilën nisi hetimi, efektivi i forcave “Shqiponja” rrezikonte deri në 7 vite burg, me akuzën tjetër ai mund të rrezikojë deri në 20 vite burg. Burime pranë prokurorisë konfirmuan se nga veprimet hetimore të deritanishme është mundur të zbardhet në mënyrë të qartë dhe të plotë gjithë mekanizmi i ngjarjes. Hetuesit kanë mundur të sigurojnë pamje filmike të momentit kur efektivi qëllon me armë 25-vjeçarin.

Sipas burimeve, në këtë moment i dyshuari Hajdaraj ka qenë i shtrirë dhe ka qëlluar dy herë. Një nga plumbat ka kapur të riun Rasha në shpatull, ndërsa tjetri në qepenin e një garazhi në krah. Nga ana tjetër, ende nuk ka prova shkencore që të lidhin armën e gjetur gati 100 metra larg vendit të ngjarjes me të ndjerin Rasha.

Hetimet për rastin janë drejt fundit, por prokuroria pret edhe përgjigjet e disa akt-ekspertimeve të urdhëruara prej saj.

Nevaldo Hajdaraj po hetohet në masën e sigurisë “arrest në burg”, masa më e ashpër e sigurimit personal. Për këtë shkak, me gjithë rëndimin e pozitës penale, prokurori nuk do t’i drejtohet me një kërkesë të re Gjykatës së Tiranës. 

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani