Rritja e pagës minimale, fasonët: Rrit kostot, kërkojmë mbështetje

Rritja e pagës minimale do të rrisë ndjeshëm kostot e punëdhënësve kryesorë në sektorin privat, prodhuesit e veshjeve dhe këpucëve.

Edvin Prençe, kryetar i shoqatës Pro Export Albania, deklaron se fasonët nuk janë kundër rritjeve, edhe pse pagat zënë deri në 80% të kostove mujore të këtyre bizneseve. Por, sipas tij, kërkohet një mbështetje nga ana e qeverisë, për të amortizuar këtë rritje artificiale të pagave.

Vetëm gjatë këtij viti, eksportet e veshjeve dhe këpucëve kanë rënë me rreth 45 milionë euro. Sipas Prençes, kriza pritet të vazhdojë edhe përgjatë 2021-it.

Një pjesë e fasonëve janë përpjekur të diversifikojnë prodhimin me maska dhe veshje mjekësore. Por, përfaqësuesit e këtij sektori shprehen se diçka e tillë nuk mund të bëhet pa mbështetjen e qeverisë, edhe për shkak të kostove të larta për makineritë.