Zv.ministri i Financave: Javën e ardhshme nis shpërndarja e bonusit të fundvitit për pensionistët

Paga të rritura, arsim e shëndetësi dhe shtesë për pensionistët, ngjajnë si vendime me peshë elektorale që marrin jetë pak muaj para, ashtu si e komentoi edhe ekspertiza ekonomike, megjithatë mazhoranca e ka parë si një plan afatgjatë në vijimësi, të cilit i erdhi momenti të marrë dritën jeshile.

Për të diskutuar mbi këto zhvillime ishte i ftuar në A2, zëvendësministri i Financave, Besart Kadia. Sa i përket pagës minimale, zëvendësministri u shpreh se ajo mbetet te më të ulëtat e rajonit.

“Përveç rritjes së pagës minimale, e cila do të shkojë në 30 mijë lekë, do të ketë edhe instrumente të tjera që lidhen me aftësinë e tyre prodhuese. Në tërësi, paga minimale në Shqipëri, edhe me statistika, mbetet te pagat më të ulëta në këndvështrimin edhe rajonal. Përpjekjet duhet të vazhdojnë që pagat mesatare në Shqipëri të rriten. Kjo nuk bëhet dhe nuk përfundon me vendim shtetëror, është një sinjalizim që jep qeverisja për kahun që do të shkojë tregu i punës”. U shpreh zëvendësministri.

Më tej, Kadia u shpreh se bonusi për pensionistët duhet të fillojë nga java që vjen. “Ky bonus vjen në një periudhë ku e gjithë shoqëria po kalon vështirësi. Jemi në kushte të imponuara dhe çdo shoqëri ka sfidat e saj. Pensionistët do të marrin nga 50 mijë lekë të vjetra.

Sa i përket reformave të pensioneve, kjo është një nga sfidat më të mëdha që ka çdo shoqëri dhe nuk është e thjeshtë dhe duhet menduar për të ardhmen”.