Gënjente dëshmitari i reportazhit mbi ISIS, New York Times kërkon falje dhe kthen çmimin

new11 1100x620

Për 2 vjet reportazhi “Caliphate” zinte një vend special në webin e prestigjiozes New York Times. Në 10 puntatat në formë podcasti, reporterja e njohur Rukmini Callimachi, me anë të dëshmive të ndryshme, informonte mbi një aspekt shumë pak të trajtuar dhe të njohur të organizatës terroriste ISIS, atë të jetës së përditshme në territoret e pushtuar prej saj.

Dëshmi rrëqethëse dhe dokumente të marra nga vetë reporterja në shtëpitë e braktisura më vonë nga luftëtarët e ISIS, e kishin shndërruar reportazhin në një nga më të vlerësuarit, fitues i çmimit Peabody dhe kandidat për atë më prestigjioz në gazetari, Pulitzer.

Por gjithçka sot është tërhequr, me shumë falje për publikun nga bordi i gazetës amerikane. Shkaku kryesor i tërheqjes janë pikërisht rrëfimet e dëshmitarit kryesor të reportazhit, një luftëtar pakistano-kanadez të ISIS me emrin Shehroze Chaudhry .

Por ky person, pas një seri hetimesh nga autoritetet amerikane, kanadeze por edhe nga vetë redaksia e New York Times, u zbulua në identitetin e tij të vërtet, atë të një mitomani dhe gënjeshtari profesionist.

Gazeta nuk ka tërhequr podcastin nga portali i saj, por ka shtuar për çdo puntatë një hyrje ku shpjegohen rrethanat dhe mungesat që çuan në “skandalin” e krijuar.  Vetë çmimi Peabody është rikthyer mbrapsht,  me gazetaren Callimachi që është pezulluar nga çdo temë që ka të bëj me terrorizmin, dhe që nuk firmos gjithsesi prej muajsh me emrin e saj.

Dje ajo postoi në rrjetet sociale një sqarim dhe një kërkesë falje për publikun, ku ndër të tjerat thotë se “si gazetarë, ne dëshirojmë transparencën e burimeve dhe ne duhet të jemi të parët që duhet ta garantojmë. Zbulova që ai person po gënjente mbi fakte të rëndësishme dhe e tregova. Por duhet të kisha perceptuar edhe gënjeshtrat e tjera, dhe kjo nuk ndodhi”.