Java e Integritetit në Shqipëri

Përditësuar më: 19/12/2020, ora 17:10

Java e Integritetit në Shqipëri

Përditësuar më: 19/12/2020, ora 17:10

Respektimi i integritetit në punë, në institucionet publike, është detyrim ligjor. ICC Albania organizoi Javën e Integritetit në Shqipëri, që synon rritjen e ndërgjegjësimit dhe promovimin e sjelljes etike, transparencës, llogaridhënies, përgjegjshmërisë në biznes dhe përpjekjet e ndërmarra prej aktorëve të ndryshëm në luftën kundër korrupsionit.

Një aktivitet, i realizuar në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë, me mbështetjen e Ambasadës së Vendeve të Ulëta në Shqipëri, Delegacionin e Bashkimit Europian në vendin tonë dhe A2 si partner mediatik.

John Denton, Sekretari i Përgjithshëm i ICC në Francë, përcolli përmes një videomesazhi, rëndësinë e javës së integritetit që u mbajt në vendin tonë.

Në këtë kohë, kur bashkëshoqërues i ditëve tona është bërë një armik i përbashkët ndaj njerëzimit, si koronavirusi, edhe sfida mbetet e përbashkët.

Lufta kundër koronavirusit, nuk mund të zbehë asnjë betejë që vendi ynë është duke zhvilluar për një drejtësi të barabartë dhe për duar që duhet të pastrohen nga korrupsioni. E për këtë të fundit, Ambasadori i prezencës së OSBE-së në vendin tonë, Vincenzo del Monaco, flet me shqetësim.

Holanda mbetet e njëjta skeptike për kapërcimin e pragut të negociatave nga Shqipëria. Korrupsioni, krimi i organizuar, lufta kundër drogës, mbeten disa prej gozhdëve ku mbet sharra, sipas saj. Megjithatë, ambasadorja e Holandës në vendin tonë, nuk kursehet në këshillimin e Shqipërisë që të mos e ndalë këtë luftë.

Ambasadori i Italisë në vendin tonë, Fabricio Buci, e quan krim korrupsionin, që duhet të ndëshkohet, dhe ndan mbështetjen e vendit përtej Adriatikut, për të punuar me autoritetet shqiptare. “Korrupsioni është një plagë ekonomike, sociale, politike. Është ekonomike, sepse i jep ndërmarrjeve një kosto që nuk duhet ta kishin, i bën më të vështira investimet. Nuk i jep meritat më të mirëve, por atyre që kapin kanalet ilegale. Është plagë sociale, sepse shkatërron besimin e qytetarëve tek institucionet. Është plagë politike, sepse korrupton jetën e shëndetshme politike. Ne po punojmë me autoritetet shqiptare për të luftuar atë që nuk është vetëm një plagë, por është krim. Dhe krimi duhet të ndëshkohet. Italia do të vazhdojë të punojë me Shqipërinë, sepse duhet të fitojmë këtë betejë së bashku”.

Në javën e integritetit, Bashkimi Europian bëri me dije edhe faturën e mbështetjes financiare që i është dhënë vendit tonë.

Qeveria shqiptare shprehet e bindur se nuk ka dorëzuar armët në asnjë moment në betejën me korrupsionin. Etilda Gjonaj, ministrja e Drejtësisë, njëherazi edhe në rolin e koordinatores kombëtare kundër korrupsionit, flet për një çrrënjosje të sistemit të kalbur të drejtësisë së shkuar, sipas saj.

Një tjetër shtyllë e rëndësishme e javës së integritetit, ishte edhe biznesi. Gazetarët e A2, si media partner, moderuan disa prej paneleve të rëndësishme, ku parashtruan edhe disa nga sfidat me të cilat përballet biznesi. Për studiuesit e ekonomisë dhe përfaqësuesit e biznesit, lufta ndaj korrupsionit dhe respektimi i të drejtave të punonjësve mund të nxitet vetëm nga bashkëpunimi midis dy aktorëve kryesorë: shtetit dhe sipërmarrjes.

Media njihet si pushteti i katërt… atributet për rolin e saj u vunë në dukje nga pjesëmarrësit në javën e integritetit.

Kjo javë e integritetit në Shqipëri, u mbyll me kontributin e të gjithë grupeve të interesit, sektorit publik dhe privat, organizatave kombëtare dhe ndërkombëtare, shoqërisë civile, akademikëve, studentëve, medias dhe shoqërisë në tërësi, në luftën kundër korrupsionit.

Për të adresuar këto çështje themelore, të gjithë grupet e interesit duhet të angazhohen dhe të bëhen aktivë në përpjekjet e koordinuara, duke promovuar integritetin, sjelljen etike dhe adresimin e duhur e të gjitha formave të korrupsionit dhe faktorëve nxitës të tij. Të rinjtë duhet të inkurajohen që të bashkohen në mënyrë aktive në debate dhe të mbështeten për të marrë rolin e tyre  në tryeza diskutimi dhe në çdo veprim të kësaj natyre.

Në vitin 2016, ICC Netherlands ishte nismëtare e Javës kombëtare të Integritetit, ku palë të ndryshme interesi bëhen bashkë çdo vit në Holandë nga 1 deri më 9 dhjetor, përpara Ditës Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit, të përcaktuar nga OKB. Qëllimi i Javës së Integritetit është promovimi i sjelljes etike si në vendin e punës ashtu edhe në bordet drejtuese, duke shkëmbyer më së miri praktikat nëpër sektorë.

Në Shqipëri, Java e Integritetit u mbajt në datat 1-9 dhjetor 2020, ku morën pjesë 53 partnerë, duke sjellë 60 aktivitete në 10 ditë.