Dyndje në posta, pensionistët marrin shpërblimin: Një flluskë uji për hallet tona

Nevoja për të ardhura, të cilat do të mbulojnë shpenzimet e fundvitit i detyroi pensionistët të dynden në radhë për marrjen e shpërblimit. Në pikat e postave, grumbullimet u krijuan që herët në mëngjes, ndonëse nuk kishte një afat përfundimtar për marrjen e pensionit.

Duke numëruar bonusin që futën në xhep, të moshuarit presin edhe më shumë vëmendje nga qeveria. Shuma prej 5 mijë lekësh për ta është simbolike në raport me nevojat që kanë nga ushqimet bazë deri tek ilaçet e përmuajshme. Edhe në këtë moshë, pensionistët duhet ende të kursejnë.

Në vendin tonë, janë rreth 670 mijë pensionistë. Në vitet e fundit, rritja e pagesës që marrin këta të moshuar nuk ka qenë më e lartë se 2-3%, ndërkohë e njëjta gjë nuk ka ndodhur me mënyrën e jetesës të paktën në kryeqytet pasi ajo bëhet më e lartë dita-ditës.