Fiskalizimi, çfarë ndryshon për biznesin në vitin 2021?

Nga 1 janari 2021, nis zyrtarisht fiskalizimi, reforma e sistemit tatimor ku prezantohet për herë të parë fatura elektronike dhe sistemi i ri i monitorimit të qarkullimit. Fillimisht, procesi do të nisë për të gjitha transaksionet midis bizneseve dhe organeve publike shtetërore. Kjo nënkupton që çdo biznes që kryen apo merr pagesa për mallra, punë apo shërbime, nga një prej institucioneve nga lista prej 1538 entesh publike, do të marrë dhe lëshojë faturë elektronike.

Ndërsa nga 1 korriku 2021, procesi shtrihet me transaksionet midis bizneseve dhe më 1 shtator për të gjitha transaksionet me para në dorë, duke përfshirë në skemën e re praktikisht të gjitha sipërmarrjet në vend brenda 9 muajve të ardhshëm, teksa vetë procesi krijon kosto.

Tatimpaguesit duhet të kenë një lidhje interneti, të jenë të pajisur me Certifikatën Elektronike nga AKSHI dhe sigurisht të kenë software-in përkatës dhe kompjuterin apo telefonin që mundëson lëshimin e kësaj fature. Këtyre u shtohen edhe kostot për printerin fiskal, vulën digjitale dhe mirëmbajtjen e programit. Teksa nuk përfshin kostot e fshehura që lindin nga limiti i arkës dhe rritja e tarifave të shërbimeve nga kontabilistët.