Reforma e fiskalizimit, Ibrahimaj: Presim të rriten të ardhurat me 15%

Reforma e fiskalizimit do të mundësojë një rritje të konsiderueshme të të ardhurave tatimore. Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, Delina Ibrahimaj, shprehet se sistemi i ri mundëson analizimin në kohë reale të transaksioneve të dyshimta, diçka që pritet të ulë evazionin nga bizneset.

Drejtoria e Tatimeve ndërkohë ka publikuar termat dhe kushtet e përdorimit të Platformës Qendrore të Faturave. Ajo që bie në sy është pika 10, që specifikon se administrata tatimore nuk mban përgjegjësi për gabimet apo ndryshimet në dokumentet që ngarkohen në këtë sistem, apo për aksesisin e një pale të tretë të paautorizuar.

Por, Ibrahimaj shprehet se këto lloj gabimesh nuk do të ndodhin për sa kohë tatimpaguesit do të zgjedhin një prej kompanive të certifikuara për të ofruar këtë shërbim.

Drejtoresha e Tatimeve shprehet se sistemi është në gjendje të përballojë ngarkesën e transaksioneve nga tatimpaguesit dhe nuk pritet të ketë bllokime në momentin kur ky proces të hyjë në fuqi.