Reforma e fiskalizimit, Papajani: I shërben vetëm tatimeve, kosto për biznesin

Reforma e fiskalizimit në Shqipëri do t’i shërbejë vetëm shtetit, teksa biznesi do të ngarkohet me kosto shtesë për t’iu përshtatur kritereve të ligjit.

Ish-drejtori i përgjithshëm i Tatimeve, Artur Papajani, bazohet te vetë ligji, për të argumentuar se qëllimi kryesor është rritja e mekanizmave të kontrollit për shmangien e evazionit. Kur për të bërë një krahasim, në Bashkimin Europian faturat elektronike janë prezantuar për të reduktuar kostot materiale, shpejtuar pagesat në prokurimin publik dhe lehtësuar tregtinë ndërkufitare.

Ish-drejtori i Tatimeve komenton edhe pritshmërinë e qeverisë për të rritur të ardhurat me 15% pas zbatimit të këtij sistemi të ri. Një parashikim i pabazuar në një analizë konkrete, sipas Papajanit, dhe që ka rezultuar i dështuar edhe në përpjekjet e mëhershme për të formalizuar ekonominë.

Papajani vlerëson se edhe afati 9-mujor për të përfshirë në këtë sistem të ri të gjithë bizneset është shumë i nxituar, veçanërisht krahasuar me afatet disavjeçare të zbatuara nga Bashkimi Europian.