Liperi sqaron si bëhet pastrimi i parave në ndërtim

23 DHJETOR 2020 A2 BUSINESS WEEK CLN frame 29394 1100x620

Si bëhet pastrimi i parave, në ndërtim, kryesisht te ndërtimi i pallatave? A është e vështirë të evidentohen skemat e pastrimit të parave, a lënë gjurmë dhe a mund të evidentohen ato kollaj nga institucionet shtetërore?

Ornela Liperi nga Revista Monitor shpjegon në A2 se gjithçka ndodh hapur dhe nënvizon se duhet kontroll më i rreptë për burimet e të ardhurave të kompanive që marrin leje ndërtimi?

“Është shumë e thjeshtë sepse ajo që po bëhet është fare hapur. Nëse do kryqëzojmë të dhënat, të dhënat e parave që vinë nga rrugët formale, që publikohen nga INSTAT dhe të dhënat për ndërtimet që po bëhen kryesisht në Tiranë dhe në bregdet përmes hoteleve apo kullave, shikojmë që të dhënat nuk përputhen.

Volumi real i ndërtimit është shumë më i lartë sesa ai që gjeneron ekonomia formale. Kjo është shumë e thjeshtë për ta vërtetuar. E kam parë thjesht nga një vëzhgim në Tiranë, duke parë kompanitë që kanë marrë leje ndërtime dhe po ndërtojnë dhe duke hyrë në Qendrën Kombëtare të Biznesit, unë kam konstatuar shumë kompani, me bilanc zero, që kanë të ardhura 30 ose 40 mijë euro. Argumenti i parë që ne duhet të debatojmë, është sesi ka mundësi që kjo kompani të marrë leje ndërtimi në Tiranë?

Kryesisht bumi i ndërtimeve është në Tiranë, por ka pasur ndërtime në Durrës, në bregdet. Duhet të ketë kontroll më të rreptë. Bashkia nuk duhet të japë leje ndërtimi kompanive pa vërtetuar burimin e të ardhurave. Kur ka kapital minimal, ka mundësi për pastrim parash, fillon evazioni fiskal dhe ti nuk e kap dot më kurrë”, shprehet ajo.