Shtrëngimi i kushteve për dhënie huaje nga bankat, Gjergji: Normale në një situatë pandemie, duhet fleksibilitet

23 DHJETOR 2020 A2 BUSINESS WEEK P2 PGM frame 27215 1100x620

Drejtori Ekzekutiv i Bursës Shqiptare, Artan Gjergji, ishte i ftuar në emisionin e përjavshëm A2 Business Week në A2, ku foli në lidhje me situatën e kreditimit në vend, nga ana e sistemit bankar.

Të dhënat e fundit, tregojnë se bankat kanë shtuar dhe shtrënguar kushtet për dhënien e huave dhe kjo sipas ekspertit Gjergji është diçka shumë normale në situatën e krijuar nga pandemia e koronavirusit.

“Shtrëngimi i kushteve është një proces që vjen për shkak të efekteve negative që solli pandemia dhe ngjarjet që pasuan. Institucionet financiare janë të ndërtuara mbi besimin. Shembja e një institucioni financiar do të sillte efekte të jashtëzakonshme në të gjithë tregun. Kjo është arsye që rregullatorët tregohen të kujdesshëm. Edhe politika që ka ndjekur Banka Shqiptare është e logjikshme. Situata është aq e jashtëzakonshme sa teoricienët e quajnë “Mjelma e Zezë”, u shpreh Gjergji.

Kreu i Bursës rekomandoi, gjithashtu, një përshtatje më të madhe nga biznesi dhe nga bankat për të përballuar sa më mirë këtë situatë.

“Ajo që do të thoja është që aftësia e ekonomisë për t’iu përshtatur kushteve të ndryshme edhe po të shohësh në histori, i jep asaj një fleksibilitet të jashtëzakonshëm. Struktura të ndryshme, qoftë në aspektin e institucioneve financiare që përbëjnë ofertën në financimin në ekonomi, qoftë në anën e biznesit që duhet të përshtatet me kushtet e reja i japin mundësinë këtyre mikro-mekanizmave të ambientit ekonomik të përshtaten. Ashtu siç i bëjmë thirrje biznesit që të përshtatet më shumë në këtë situatë pandemie, e njëjta gjë duhet të ndodhë dhe me institucionet bankare. Rregullatorët luajnë politikat e tyre siç duhet”, përfundoi Gjergji.