Shpërblimi për fundvit, të verbrit: Kemi dy vite që nuk e marrim, vonesa edhe në pagesën mujore

Për të dytin vit radhazi Gjergj Smakaj po i pret festat e fundvitit pa shumë të ardhura në xhep. Ai është 26 vjeç dhe që në lindje ka shfaqur problem të aftësisë së kufizuar në organet e shikimit.

Pagesa mujore që merr nga shteti është vetëm 123 mijë lekë të vjetra. Vështirësi ka pasur edhe të përshtatet në tregun e punës për shkak të diskriminimit të mundshëm, kryesisht nga punëdhënësit.

Ndonëse, qeveria deklaroi kategoritë të cilat do të përfitojnë shpërblimin e fundvitit, Gjergji thotë se personat e verbër janë përjashtuar nga këto skema.

“Ky është viti i dytë që nuk kemi marrë shpërblim për fundvit, përfituan vetëm pensionistët dhe nga sigurimet shoqërore”, shprehet ai.

Si kur të mos mjaftonte mungesa e një shpërblimi, vonesa paraqiten edhe në dhënien e pagesës mujore për të verbërit.

“Na i vonojnë dhe pagat mujore. Vjet ka qenë i njëjti problem. Fondi kalon në Bashki, bashkia bën shpenzime të tjera dhe dëmtohen personat me aftësi të kufizuara”

Në vendin tonë, janë mbi 13 500 persona të verbër. Bashkë me ta, të përjashtuar nga shpërblimi i fundvitit janë edhe personat me aftësi të kufizuara në dëgjim, si dhe fëmijët me sindromën down dhe autizëm. Ndërsa, sa i përket personave para dhe tetraplegjik, A2 Cnn ka mësuar se vetëm ata që janë në një marrëdhënie pune kanë përfituar bonus për fundvit dhe nuk dihet çfarë do të ndodhë me pjesën tjetër që nuk kanë një kontratë pune.