Ekonomia në një vit, Gajo: Është rritur varfëria dhe pasiguria për të investuar

Po mbyllet një vit edhe më i vështirë dhe arsyet tashmë i dimë të gjithë, por edhe pa vështirësitë e mëdha të këtij viti në përfundim të çdo 365-ditëshi, ajo që bëhet në fakt janë llogaritë: sa shpenzuam, sa kursyem, çfarë bëmë këtë vit dhe çfarë do të blejmë vitin që vjen?

Kjo llogari bëhet në çdo familje dhe natyrshëm që llogaria fillon në qelizën e vogël të shoqërisë dhe në bazë të saj më tej bëhen edhe llogaritë e mëdha të një shteti. Si ka qenë me numrat ky vit?

Për këtë foli në A2 Albert Gajo, specialist i ekonomisë. Sa i përket vitit që po mbyllim, për ekspertin e ekonomisë është rritur varfëria, por jo kursimet e një shtrese tjetër. “Ky vit ka qenë nga më të vështirët edhe në botë, për shkak të pandemisë që reduktoi shumë biznese. Kjo u ndje shumë në Shqipëri sepse nuk pati asnjë lloj biznesi që të kishte përfituar. Sektorët më vitalë në vitet e fundit, si turizmi, u goditën më shumë gjatë këtij viti. Konsumi i individëve me të ardhura të ulëta ka ndikuar në mënyrë të jashtëzakonshme, duke rritur edhe varfërinë në Shqipëri.

Kursimet janë rritur, pasi është tendenca kur ka pasiguri në ekonomi fillojnë kursimet. Kjo është një situatë paniku për njerëzit dhe në të tillë situatë ata janë më të kujdesshëm, duke tentuar të kursejnë. Tashmë pyetja është se ku do të përdoren këto para”, u shpreh eksperti.