Buxheti i Bashkisë, kryeqyteti do të paguajë më shumë për taksa e tarifa

Banorët e kryeqytetit duhet të përgatiten për të paguar më shumë taksa dhe tarifa vendore gjatë vitit të ardhshëm. Buxheti i Bashkisë së Tiranës parashikon të mbledhë 14,3 miliardë lekë, apo rreth 117 milionë euro, nga familjet dhe bizneset.

Të ardhurat nga taksat do të jenë më të ulëta nga një vit më parë, për shkak të zerimit të tatimit të thjeshtuar mbi fitimin e bizneseve të vogla dhe nga një pritshmëri më e ulët nga taksa e ndikimit në infrastrukturë, që paguhet nga firmat ndërtuese për pallatet e reja.

Bashkia do të synojë të rrisë të ardhurat nga thuajse çdo zë tjetër. Kështu, buxheti vendor parashikon që do të mblidhet më shumë nga taksat mbi pasuritë e paluajtshme, që pronarët e shtëpive, paguajnë çdo muaj në faturën e ujit. Kjo faturë do të rritet edhe nga taksa e përkohshme për infrastrukturën arsimore dhe tarifa e pastrimit. Ndërsa më shumë do të vilen edhe nga tarifat e tjera si ato të parkimit të automjeteve, tarifa e bizneseve për zënien e hapësirave publike, apo edhe pagesat për kopshtet dhe çerdhet.

Këtij totali i shtohet edhe transfertat nga buxheti i shtetit dhe fondet e mbartura nga viti aktual.

Në këmbim, shpenzimet e bashkisë do të shkojnë në pjesën dërrmuese për paga dhe shpenzimeve operative. Ndërsa vetëm 7,1 miliardë lekë, ose 35% e buxhetit vendor, do të shkojë për investime. Në fakt projektet ku do të investohet janë po të njëjtat që duhet të kishin nisur këtë vit, si Teatri Kombëtar me financimin e buxhetit të shtetit, Piramida, Kopshti Zoologjik, Kampusi Universitar, zhvillimi i pesë zonave në kryeqytet, etj.