Investimet e huaja, në rritje vetëm automotivët. Prioritetet sollën zero para’

Investimet e huaja direkte në vendin tonë shënuan rënie me 110 milionë euro për 9 muajt e parë të vitit, por të dhënat e Bankës së Shqipërisë konfirmojnë që më tepër sesa pandemia, ndikoi mungesa e një plani për thithjen e projekteve të reja.

Me TAP dhe Devoll drejt përfundimit dhe në nevojë urgjente për t’i zëvendësuar; qeveria liston ndër fushat strategjike për investitorët e huaj: transportin, telekomunikacionin; turizmin dhe bujqësinë. Por, investimet në këto sektorë realisht janë ose pranë zeros, si në rastin e turizmit dhe bujqësisë; ose në rënie të vazhdueshme.

I vetmi sektor që bën përjashtim është industria automotive dhe teknologjia e informacionit, që kanë përjetuar një rritje të investimeve vitet e fundit, nxitur nga ulja e tatimit mbi fitimin. Pritshmëritë nga qeveria janë të larta edhe për sektorin e energjisë dhe atë të nxjerrjes së mineraleve dhe hidrokarbureve. Teksa këto fusha sjellin financime të mëdha, si në rastin e impiantit fotovoltaik që do të ndërtohet në Karavasta, ato thjesht shfrytëzojnë resurset natyrore të vendit, duke gjeneruar shumë pak vende pune të qëndrueshme.

Investitorët e huaj në vend kanë ngritur vazhdimisht shqetësimin se niveli i lartë i korrupsionit, informaliteti, konkurrenca e pandershme dhe gjithmonë e më shumë klima politike, e bëjnë Shqipërinë jo tërheqëse për të bërë biznes.