Diplomacia e Covid, vaksinimi i shqiptarëve nga Rusia dhe Serbia

Përditësuar më: 29/12/2020, ora 15:41

Diplomacia e Covid, vaksinimi i shqiptarëve nga Rusia dhe Serbia

Përditësuar më: 29/12/2020, ora 15:41

Në një lëvizje të pazakontë diplomatike dhe brenda së njëjtës ditë, Rusia dhe Serbia janë ofruar secila që të vaksinojnë shqiptarët në Ballkan.

Ambasada e Rusisë u ofrua publikisht të sigurojë vaksinën e saj për qytetarët e Shqipërisë përmes një postimi në rrjete sociale, ditën e hënë.

“Nuk kemi dyshime se Rusia është e gatshme të sjellë vaksinën e saj “Sputnik-V” edhe në Shqipëri. Vaksinimi me “Sputnik-V” tashmë filloi në Rusi dhe në Argjentinë, ndërkohë më shumë se 50 vende kanë aplikuar për të blerë 1,2 miliardë doza të preparatit”, thuhet në postimin e ambasadës.

Një aspekt i pazakontë i postimit ishte se oferta e papritur, ishte formuluar mbi një foto “screenshot” të një postimi në Twitter të drejtorit të komunikimit të Kryeministrisë, Endri Fuga.

Fuga i kishte bërë ”retweet” një qëndrimi të Ursula von der Leyen, ku Presidentja e Komisionit Europian njoftonte me gëzim shpërndarjen e vaksinës për vendet e BE, dhe mbi të, Fuga shkruante se Ballkani Perëndimor ishte lënë sërish vetëm, edhe në krizën e koronavirusit.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, reagoi ashpër ndaj ofertës ruse një ditë më vonë.

“Mendova se ishte një meme, pasi për një shtet serioz është e papërshtatshme të bëjë provokime të tilla. Kur them provokim nuk i paraprij ndonjë demarshi pranë shtetit rus, sepse ky është një provokim qesharak dhe nuk është mirë që Rusia të bëhet qesharake, nëpërmjet këtyre postimeve. Shpreh keqardhjen për këtë!”, tha Rama.

Pak orë para mesazhit të Rusisë, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha se ishte gati të ofronte vaksina për shqiptarët e Kosovës, duke theksuar se Serbia do të vazhdojë të “përkujdeset për popullin e saj në Kosovë”.

Kjo deklaratë e Vuçiç vjen pas reagimeve të forta ndaj vaksinimit të popullatës serbe në veri të Kosovës, një proces i realizuar përmes strukturave paralele dhe që anashkalon institucionet e Prishtinës zyrtare. Oferta e presidentit serb u cilësua si provokim nga politikanët në Kosovë. Rusia ka prodhuar variantet e saj të vaksinës të pagëzuar si Sputnik, ndërsa Serbia ka raportuar se është vendi i parë në Ballkan që ka arritur të marrë qindra mijëra doza të vaksinës Pfizer.