Epidemiologu: Sa më shpejt të nisë vaksinimi, aq më mirë. Duhen siguruar vaksina për të gjithë popullatën

Përditësuar më: 30/12/2020, ora 19:44

Epidemiologu: Sa më shpejt të nisë vaksinimi, aq më mirë. Duhen siguruar vaksina për të gjithë popullatën

Përditësuar më: 30/12/2020, ora 19:44

Epidemiologu Alban Ylli, në një lidhje direkte me “Ditari” në A2 u shpreh se vaksinimi duhet të nisë sa më shpejt të jetë e mundur, pavarësisht se studimi i publikuar sot nga Akademia e Shkencave doli në përfundim se rreth 50% e banorëve të Tiranës kanë krijuar imunitet ndaj Covid-19.

“Vaksinimi zgjat në kohë dhe është mirë që ai të fillojë sa më shpejt. Sa më shpejt, aq më shumë jetë njerëzore shpëtojmë. Që të qarkullojë në ciklin e tij të plotë virusi, do të duhet më shumë se viti 2021, kështu që vaksina do të jetë e domosdoshme. Në Shqipëri, vaksinimi mund të fillojë në janar, me një sasi të vogël, e më pas sistemi duhet të përshtatet për të vaksinuar fasha gjithmonë e më të mëdha të popullsisë. Në terma afatgjatë, Shqipëria duhet të sigurojë vaksina për të gjithë popullatën e vet. Pavarësisht imunitetit të krijuar, popullata ka nevojë për vaksinën për përballimin e pandemisë”, tha Ylli.

Sipas tij, “do të kemi valë të tjera, por shpresojmë që të mos jenë kaq të rënda sa kjo që kaluam”.

Në lidhje me gripin e stinës, epidemiologu u shpreh: “Nuk besoj se ka pasur hapësirë për t’iu dedikuar gripit. Por, ka dhe një shpjegim tjetër: kur qarkullon shumë një virus tjetër, si në rastin e Covid-19, gripi të jetë më i ulët. Dy viruset në natyrë konkurrojnë me njëri-tjetrin dhe fiton më i riu. Kjo është një teori biologjike”.