Festat jashtë vendit, Vathi: Nga 20 mijë vitin e kaluar, sivjet lëvizën vetëm 200-300 shqiptarë

Shqiptarët do t’i kalojnë festat e fundvitit në vendin e tyre, pa pasur shumë mundësi të zgjedhin nëse duan të largohen jashtë vendit. Për vite me radhë Turqia ishte destinacioni i preferuar nga shqiptarët, por këtë vit, diktuar dhe nga pandemia, lëvizjet kanë qenë minimale. Turoperatorët thonë se krahasuar me vitet e kaluara, 2020-ta regjistroi jo më shumë se 1-2 % të biletave.

Sipas një prej tyre, Besnik Vathit, “edhe Turqia që ishte e hapur, u mbyll. Kemi mbetur vetëm ne të hapur. Vjet kanë ikur me Agjenci rreth 20 000 persona, këtë vit kanë ikur 200-300 shqiptarë gjithsej”.

Të papërfillshme janë sipas turoperatorëve edhe ardhjet e turistëve nga jashtë vendit. Vathi thotë se kufizimet e pandemisë ndaluan edhe shqiptarët të rikthehen në atdhe.

Besnik Vathi

“Vendet e tjera janë izoluar dhe nuk lejojnë daljet, ose ka dalje por duhet të bësh karantinë kur të kthehesh. Kështu që as shqiptarët nuk erdhën këtë vit”, pohon Vathi.

Sa i përket lëvizjeve të brendshme dhe në vendet e rajonit për festa, agjencitë thonë se nuk mund të quhet turizëm shëtitjet që ndodhin fundjavave dhe me shpenzime të kufizuara. Rezervimet janë të hapura por sërish vërehet një lëvizje e kufizuar.

Ndërkohë një pjesë e mirë e agjencive turistike të cilat operojnë në rrugën Mine Peza kanë ulur qepenat duke mos ofruar shërbim. Mungesa e lëvizjeve për festat e fundvitit ka bërë që turoperatorët të mbyllin rezervimet më herët se vitin e kaluar.