Drejt 25 prillit, si u vendosën rregullat e lojës?

Për herë të parë, pas më shumë se 2 dekadash, Shqipëria nuk do të ketë më zgjedhje në verë. Kutitë e votimit do të hapen në 25 prill. Ishte kjo një prej dakordësive që prodhoi Këshilli Politik. Një strukturë jashtëparlamentare që riktheu në lojë, më 14 janar, opozitën jashtëparlamentare.

Që prej vjeshtës së vitit 2019, vizitat e ndërkombëtarëve në selitë partiake ishin kthyer në rutinë. Pas heshtjeve apo njoftimeve zyrtare formale, qëndronin në fakt tentativat për të ulur në një tryezë mazhorancën, opozitën e re në Kuvend, LSI e PD-në, që më herët kishin djegur mandatet.

Reforma zgjedhore konsensuale ishte kusht edhe për hapjen e negociatave. Sipas PD, ishte një marrëveshje që bëri të qartë që parlamentit i mungonte legjitimiteti, ishte marrëveshje për rregulla normale loje dhe jo për të ndarë pushtetin. Ndryshe mendonte opozita e mbetur në Parlament. “Unë u ula për listat, por palët kishin interesat e tyre, politikë e vjetër që donte të vazhdonte avazin”, do të shprehej Rudina Hajdari.

Në dokumentin e firmosur, palët bien dakord të mbyllin reformën, brenda 15 marsit. Por, koronavirusi dhe karantina rezultuan më të fuqishme edhe se angazhimi i tyre politik . Shembja e teatrit shtyu akoma më shumë gjetjen e një gjuhe të përbashkët, dhe vetëm në 5 qershor pasi takimet u zhvendosën nga pallati i kongreseve në rezidencën amerikane, e anasjelltas, u arrit dakordësia.

Sipas asaj marrëveshje, që qarkulloi në disa variante në duart e ambasadorëve, në zgjedhjet e ardhshme do të përdorej teknologjia. Në 10% të territorit do të vendoseshin makineritë e votimit dhe numërimit elektronik, në 100% të qendrave të votimit, pajisjet që do të bënin identifikimin biometrik të zgjedhësve. Këta të fundit, në vend të firmës, do të japin shenjat e gishtërinjve para se të votojnë. KQZ aktualisht ka hapur garën.

Po sipas asaj marrëveshje, KQZ ndahej në 3 nivele, duke ndryshuar formatin kolegjial shumëvjeçar, por komisionerët do të vazhdonin të ishin në politikë. Po ashtu, do të mundësohej vota e emigrantëve dhe do të miratoheshin një seri ndryshimesh në ligje të tjera, përfshirë dhe ata të reformës në drejtësi. Ajo që opozita jashtëparlamentare kishte të garantuar, ishte fakti që çfarë mbyllej në Këshillin Politik, nuk prekej më në Kuvend. Sesi i siguronte votat, ishte problem i Edi Ramës. Ndaj këtij të fundit, parlamentarët e rinj që morën mandatet e lëna nga LSI e PD, nisën presionin. Lista të hapura kandidatësh për deputetë ose 0 vota. Këtë ia bënë të qartë kryetarët e grupeve të opozitës në takimet që patën disa herë me të, në Kryesinë e kuvendit.

Myslym Murrizi futet në lojë me një seri propozimesh për të ndryshuar kushtetutën. Në të, kërkohet heqje koalicionesh parazgjedhore, ndryshim i pragut elektoral dhe lista të hapura. Ndryshimet u kundërshtuan nga opozita jashtë parlamentit, por që u ul sërish në tryezën e Këshillit Politik, ku këtë radhë merrte pjesë dhe Edi Rama. “Ajo çka kërkojmë është: ejani ulemi dhe me sa më shumë dakordësi të reflektojmë në Kod këtë sanksionim të hapjes së listave që vjen nga ndryshimi kushtetues. Ne nuk ndryshojmë as sistem, as zona zgjedhore. Edhe për hapjen e listave ejani ulemi nëse keni ndonjë mendim se si të garantojmë kuotën gjinore sa më mirë”, tha Rama pas përfundimit të Këshillit Politik, për median”.

Votat e opozitës për kodin, u dhanë më 23 korrik dhe në këmbim u miratuan ndryshimet kushtetuese, 7 ditë më pas. Pavarësisht se gjatë kësaj kohe, opozita u deklarua pro hapjes 100% të listave të kandidatëve për deputetë, por variantin final për hapjen e tyre e hartoi  dhe sqaroi mazhoranca.

Pas qershorit, çdo tentativë për konsensus në këshillin politik, dështoi. E tillë ishte dhe ajo për të përshtatur kodin zgjedhor me ndryshimet kushtetuese. Kodi që sqaronte saktë hapjen e listave dhe ndalonte koalicionet parazgjedhore, u miratua në fillim të tetorit. Presidenti e ktheu  për rishqyrtim dhe dërgoi për opinion në Komisionin e Venecias. Ky i fundit në mes të dhjetorit kritikonte procedurat jokorrekte të ndjekura nga mazhoranca, por sugjeronte që çdo ndryshim në ligjin e zgjedhjeve të bëhej, pas 25 prillit. Qëndrim ky që përkonte me atë të Edi Ramës.

Ndërkohë, edhe pse kishte rënë dakord që në ditët e para të janarit, që të miratohej paralelisht me kodin zgjedhor, ligji i fundit, pjesë e paketës që forconte rregullat e procesit elektoral, u ndryshua vetëm në ditët e fundit të dhjetorit.