Jehonë, zërit të natyrës

Përditësuar më: 31/12/2020, ora 14:36

Jehonë, zërit të natyrës

Përditësuar më: 31/12/2020, ora 14:36

Natyra ekziston prej miliona vitesh, ajo ka qenë këtu, shumë kohë më parë njerëzimit. Natyra e tokës na bëri pjesë të saj, na ofroi ajër, ushqim dhe shtëpi.

Natyra zotëron botën e gjallë, zotëron oqeanet që ndajnë kontinentet, natyra mbart në vete barin, pemët, kafshët dhe njeriun. Natyra sjell shiun që rrit bimësinë, sjell ngricat dhe thatësirën që tokën dëmtojnë, ajo i sjell tokës dhe detit stuhitë shkatërrimtare. Natyra është dielli, uji dhe ajri, natyra është atmosfera e tokës që bën të mundur jetën në tokë.

Gjithçka është natyrë….

Ndërsa toka është vetëm një pikë e ndritshme në errësirën e pafundme të kozmosit prandaj çështjet e sigurisë së jetës në tokë, njerëzimi nuk duhet t’i kërkojë nga pika të tjera, që ndriçojnë me mijëra apo miliona vite dritë larg.

Gjithë speciet që popullojnë tokën, ruajnë rendin e duhur në rrugëtimin e tyre mbi tokë por është njeriu me sjelljen e tij, burimi i problemeve mjedisore në tokë që kur natyra, njeriun e bëri pjesë të vetes. Shoqëria njerëzore në shekuj ka shfrytëzuar burimet natyrore të ajrit, ujit dhe tokës deri në degradim, pa u kujdesur për vijueshmërinë e tyre. Pakujdesia njerëzore është treguar edhe në zhvillimin e shkencës e teknologjisë të cilat u krijuan për t’i shërbyer shfrytëzimit radikal të burimeve natyrore dhe vetëm së fundmi, kur ka krijuar mjaftueshëm njohuri mbi pika të tjera që ndriçojnë kozmosin, shkenca ka kthyer vëmendjen në mbrojtje të natyrës së tokës. Në thelb, kjo është mbrojtja e vijueshmërisë së jetës në tokë.

Nëse ekziston një gjë thelbësore për të cilën njerëzimi duhet të ndërgjegjësohej që nga zanafilla e tij, ajo gjë, duhet të ishte pajtueshmëria me fuqinë superiore të natyrës dhe bindja, ndaj ligjeve të saj.

Vrojtimet e hershme tregojnë për ekuilibra perfektë mes natyrës dhe jetës në tokë, por ligjet e natyrës janë shkelur dhe burimet jetësore po pakësohen. Burimet ujore po shterojnë, pyjet po digjen dhe kafshët po zhduken. Oqeani po varfërohet, toka, uji dhe ajri janë ndotur. Ekuilibrat janë cenuar!

Tri dekadat e fundit janë më të nxehtat në historinë njerëzore, toka dhe oqeanet kanë tepricë të nxehtësisë, rrethi polar dhe Siberia janë ngrohur me 3 deri 5 gradë mbi normalen, akujt po shkrijnë. Polet veri-jug të rruzullit po humbasin sipërfaqet e ngrira, Groenlanda po humb çdo vit mbi 270 gigaton akull. Ndërsa përmbytjet, zjarret dhe stuhitë tropikale po shtohen, po egërsohen. Gazet serë janë shtuar në ajër duke dëmtuar shtresën mbrojtëse të ozonit.

Ngjarje të tilla rrezikojnë njerëzimin, jeta në tokë është në rrezik!

Shoqëria njerëzore ka parë dhe përjetuar mjaftueshëm për të vendosur paqe me natyrën. Po, po, paqja me natyrën duhet të jetë prioriteti ynë sot në çdo cep të globit që nesër, gjenerata tjetër të mos na fajësojë që nuk bëmë dot asgjë.

Natyra bën pa njerëzimin por njeriu nuk bën dot pa natyrën!

Është natyra, ajo që drejton tokën me rregullat  drejt ekuilibrave të saj ndërsa ne njerëzit, jemi ne që kemi ndotur ajrin, kemi pakësuar ujin, kemi degraduar tokat. Ne jemi ata që kanë pakësuar llojet e gjalla, kanë devijuar rrjedhën e lumenjve. Jemi ne, është e gjithë shoqëria globale që ka cënuar paqen me natyrën.