Presidenca shqiptare e OSBE-së për 2020

Përditësuar më: 31/12/2020, ora 17:06

Presidenca shqiptare e OSBE-së për 2020

Përditësuar më: 31/12/2020, ora 17:06

Edi Rama ndërroi disa kostume gjatë 2020-ës, atë të Kryeministrit, ministrit të Jashtëm, por edhe të kreut të Presidencës së radhës së OSBE-së. Edhe pse Gent Cakajt i besoi shumë kompetenca, diçka e mbajti edhe për vete.

2020 do te shenonte nje vit te rendesishem per Shqiperine ne sferen nderkombetare. Sllovenia I dha stafeten vendit tone per te drejtuar Organizaten  per Siguri dhe Bashkepunim ne Europe. Vendimi nuk erdhi  i papritur, pasi qeveria nuk I kishte ndalur lobimet.

Dhe lobimi duket se nuk ra në vesh të shurdhët. Më 6 dhjetor 2019 Shqipëria mori zyrtarisht kryesimin e Presidencës së OSBE-së për vitin 2020.

Në Bratislavë, Rama u duk i shpenguar, teksa përgatiste fjalimin e parë.

Imazhet e përcjella bënin kontrast me fjalët e Ramës, që e quajti një përgjegjësi të madhe drejtimin e kësaj organizate ndërkombëtare të dorës së parë.

“Ky është një moment historik dhe inspirim për Shqipërinë. Ka shumë çështje që kanë të bëjnë jo vetëm me termat e politikës, por edhe sigurisë. Shohim edhe në këtë tryezë ka qasje të ndryshme. Do të bëjmë të pamundurën për të parë përpara. Ky është një moment historik dhe inspirim për vendin tonë.”

Kryeministri Rama theksoi se Shqipëria do të fokusohet në 4 përparësi kyçe gjatë mandatit të saj.

“Përparësia e parë, do të jetë kriza në Ukrainë, e cila mbetet kriza më urgjente e sigurisë sot në Europë. Është e papranueshme që konfliktet e zgjatura në rajonin tonë të vazhdojnë të marrin jetë njerëzish. Përparësia e dytë shqiptare do të jetë respektimi dhe promovimi i të drejtave të grave, veçanërisht në zonat që vuajnë më shumë destabilitetin dhe zonat e konfliktit. Dy përparësitë e tjera në të cilat do të fokusohet Shqipëria janë lufta kundër korrupsionit dhe trafikut të qenieve njerëzore në nivel global dhe liria e medias”.

Marrëdhëniet mes Moskës dhe Kievit u përkeqësuan në mënyrë dramatike në 2014-ën, kur Rusia aneksoi gadishullin e Krimesë dhe rebelët e mbështetur nga Moska nisën një ofensivë në dy rajone në lindje të Ukrainës. Mbi 13 mijë persona janë vrarë gjatë trazirave në rajonet e Donjetsk dhe Luhansk. Ndaj, Rama nuk priti shumë, dhe në cilësinë e kryetarit të radhës së Misionit të OSBE-së, vizitën e parë e bëri në zemër të krizës mes Ukrainës dhe Rusisë.

“Garantimi i ndalimit të të shtënave dhe një armëpushim i qëndrueshëm është jetik për jetën e njerëzve atje. Konflikti vijon të prodhojë viktima civile dhe kjo është e papranueshme. Kjo duhet të ndalet. Synimi ynë është që të sigurojmë armëpushim të plotë.”

Rama ishte i vetëdijshëm se nuk mund te premtonte ndonjë mrekulli, por do të bënte diçka më shumë se të tjerët, për jetët e pafajshme atje.

Pavarësisht përpjekjes për ndihmë, oferta e bërë nga Rama nuk u mor në konsideratë. Por po aq, duket se nuk mori edhe Shqipëria çështjen e lirisë së medias, që nga Rama u paraqit si një tjetër përparësi. Në Shqipëri, kryesuesen e radhës së presidencës së OSBE, ngulet ende këmbë për ligjin antishpifje.

Sfidat e 2020-ës për presidencën shqiptare të OSBE-së, kishin mes të tjerash edhe sigurinë, stabilitetin dhe luftën kundër korrupsionit. Nga takimi më i rëndësishëm vjetor, ai i Këshillit Ministerial, Edi Rama foli me tone optimiste për avancimin e kësaj lufte.

 “Ky Këshill Ministerial, po kështu, ka rënë dakord dhe për disa angazhime të reja për të luftuar krimin e organizuar transnacional, për të luftuar korrupsionin e për të parandaluar torturën në rajonin e OSBE-së. Për rrjedhojë, kemi arritur një përparim mjaft të nevojshëm në të treja dimensionet e sigurisë së OSBE-së.”

Për ironi të fatit, një moment i tille historik i drejtimit të OSBE-së, përkoi me një uzurpim të vëmendjes ndaj koronavirusit dhe pandemisë globale, çka në terrenin konkret, mbylli shumë shtigje e kufij mes shtetesh.

“Shqipëria mund të jetë një vend i vogël, por ne donim të bënim gjëra të mëdha këtë vit. Vendi ynë nuk ka patur kurrë më parë një moment të tillë diplomatik si ky i sotmi këtu, e nëse mund të arrijmë rezultate në OSBE në mes të pandemisë, në konflikte e kriza gjithë përreth nesh, nuk ka dyshime që ne mund të arrijmë të kemi rezultat dhe tjetërkund, edhe në Këshillin e Sigurisë së Kombeve të Bashkuara në vitin 2022 dhe ky është objektivi ynë i ardhshëm”.

“Mision i përmbushur prej ku Shqipëria del më e fortë dhe më e respektuar ndërkombëtarisht”- shkruajti Rama pas ministerialit vjetor të OSBE-së. Por çfarë dha dhe çfarë mori Shqipëria nga kjo Presidencë?

OSBE-ja mbetet organizata më e madhe në botë, e orientuar nga siguria. Ajo u krijua në vitin 1975, në kohën e Luftës së Ftohtë, si një forum Lindje-Perëndim, Aktualisht 57 shtetet e saj anëtare shtrihen në Europë, Azi dhe Amerikën Veriore. Presidencën nga 1 janari e merr Suedia.