Showbiz në pandemi

11111 4 600x338

Edhe pse në një vit të vështirë, në pandemi, asgjë nuk mungoi në përditshmërinë tonë, mes tyre muzika, filmat, martesat apo divorcet, si dhe ardhjet në jetë…

Muzika

Dhjetëra artistë publikuan këtë vit këngë të reja, shumë prej tyre dedikuar fansave dhe periudhës së vështirë, kur miliona vetë u karantinuan gjatë kulmit të pandemisë koronavirus. Në muajin shkurt, sensacioni i muzikës pop, Billie Eilish, që sapo kishte rrëmbyer një çmim Grammy dhe kishte performuar në mbrëmjen e çmimeve Oscar, sapo publikoi këngën që do të ishte kolona zanore e filmit të shumëpritur të James Bond, “No time to die”. Balada 4-minutëshe, që mban të njëjtin emër me filmin, është një këngë që flet për tradhtinë dhe dëshpërimin, e shkruar nga vetë Eilish dhe i vëllai, Finneas, dhe performohet me muzikë instrumentale.

Ndërkohë, protagonistja femër e filmit të ri James Bond, aktorja britanike Lashana Lynch, foli për ofertën që i ishte bërë, për të luajtur rolin e parë të një agjenteje 007. Lynch luan rolin e Nomi, një spiune me licencë për të vrarë. Një nga shprehjet e saj më të famshme në film është “Bota ka ecur përpara”, pasi Bond kthehet nga azili dhe e pyet nëse edhe Nomi është një agjente sekrete e MI6.

Në një intervistë për revistën “Variety” në muajin janar, producentja Barbara Broccoli foli edhe për pyetjen që bëjnë të gjithë: Kush do të jetë James Bond në të ardhmen? “Mund të jetë edhe me ngjyrë, por do të jetë pa diskutim mashkull”, tha Broccoli. “Nuk jam veçanërisht e interesuar nëse do të jetë femër apo mashkull, por 007 duhet të jetë një mashkull”.

Në muajin mars, ylli i muzikës pop, Lady Gaga, publikoi këngën që do të shndërrohej në një hit, “Stupid love”, pjesë e albumit të saj të 6 “Chromatica”, shoqëruar me një video muzikore të xhiruar me një iPhone. Më 22 maj, ajo lançoi një tjetër hit, në bashkëpunimin e saj të parë me Ariana Grande, nën titullin “Rain on me”. Kënga, një hit i muzikës dance, fitoi çmimin si kënga e vitit 2020 në MTV Video Music Award.

Më 23 prill, “The Rolling Stone” plotësuan dëshirën e fansave, duke iu dhuruar këngën me titull “Living in a Ghost Town”, me videon të realizuar në një qytet totalisht të shkretuar, gjatë ditëve të karantinës.

Kënga, edhe më e fuqishme falë tekstit të shkruar nga Keith Richards, e në tingujt e një muzike të fuqishme, shoqërohet me pamje nga rrugët e boshatisura dhe stacionet e metrove në Londër, Los Angelos, Kioto dhe qytete të tjera, që tradicionalisht janë të ngarkuara në çdo ditë të vitit. Më 9 shtator, fansat patën mundësinë të vizitonin edhe dyqanin e parë të Rolling Stone në Londër, në rrugën e famshme “Carnaby Street”. Lideri i Rolling Stone, këngëtari Mick Jagger, tha se projekti ishte ideuar për në vitin 2021, por vendosën të përshpejtojnë, kushtëzuar nga pandemia. I pyetur përse zgjodhën “Carnaby Street” për dyqanin e tyre, Jagger tha se ishte shumë pranë vendit ku banda ushtrohej dikur.

Në Londër, studio e regjistrimit “Abbey Road”, më e famshmja në mbarë botën, u rihap më 4 qershor, pasi mbylli dyert në muajin mars për shkak të karantinës kombëtare, për herë të parë në historinë e saj 90-vjeçare.

Më 14 gusht, reperi kanadez Drake dhe reperi amerikan Lil Durk, publikuan bashkëpunimin e tyre në këngën “Laugh Now Cry Later”. Drake siguroi vendin e parë në klasifikimet botërore të Billboard R&B/Hip-Hop, me hitin e tij të 21 ndër vite, duke kaluar edhe rekordin që më herët mbahej nga Aretha Franklin dhe Stevie Wonder.

Bruce Springsteen shkroi historinë, pasi kënga “Letter to You” u shndërrua në një hit të padiskutueshëm në mbarë Mbretërinë e Bashkuar, më 30 tetor, pasi albumi i tij i ri u pozicionua në vendin e parë për nga shitjet. Ndërkohë, edhe kënga “The Boss”, hiti solo i artistit qëndron në vend të parë për nga shitjet e albumeve në Britaninë e Madhe për 5 dekada me radhë, sipas kompanive zyrtare të klasifikimit të këngëve dhe albumeve, bazuar te shitjet në treg.

Vajza e Michael Jackson ndjek hapat e të atit në muzikë, pasi publikoi me sukses më 30 tetor, hitin e saj, “Let Down”. Me tekst të shkruar nga vetë Paris Jackson, në këngë rrëfehet një histori që thyen zemrat, me muzikë alternative e folk, në albumin e saj të parë solo, “Wilted”.

Këngëtarja australiane e muzikës pop, Kylie Mingoue, u rikthye në tregun muzikor, pas një mungese disavjeçare, me këngët e saj disko, me një album të ri, të cilën 52-vjeçarja e përfundoi gjatë ditëve të karantinës. Albumi i saj i 15-të në treg quhet “Disco” dhe u lancua, më 6 nëntor. Menjëherë, ai u shndërua në albumin më të shitur në Britaninë e Madhe dhe është artistja e parë femër, albumi i së cilës është shitur në Britani për më shumë se 4 dekada.

Më 20 nëntor, grupi koreano-jugor i muzikës, BTS, publikoi albumin “BE”. Banda muzikore me 7 djem, është shndërruar përgjatë një viti në një sensacion të vërtetë, jo vetëm në Korenë e Jugut, por në mbarë botën, për të cilët është krijuar edhe një bazë globale e fansave, edhe pse grupi ishte krijuar dhe kish dalë në treg që në vitin 2013. Gjatë 2020-s, BTS u klasifikuan në vend të parë në Shtetet e Bashkuara, për hitin e tyre, “Dynamite”, pjesë e albumit të tyre, të publikuar në muajin gusht.

Grupi i djemve arriti të rrëmbejë plot 4 çmime në MTV Europe Music Awards më 8 nëntor, përfshirë cmimin për këngën më të mirë të vitit me “Dynamite” dhe grupin më të mirë muzikor të vitit, duke i pozicionuar BTS në grupin më të madh të momentin në mbarë botën.

Më 18 dhjetor, Paul McCartney publikoi “McCartney III”, një koleksion të këngëve të tij të vjetra, të performuara dhe prodhuara nga ish-Beatles, 50 vjet pas publikimit të albumit të tij të parë solo. Regjistruar gjatë vitit 2020 në Susexx, në jug të Anglisë, “McCartney III” është ndërtuar kryesisht me performancat live të Paul, shoqëruar me kitare ose piano, me pak bas e bateri. Albumi i 12-të dhe i fundit i regjistruar nga grupi legjendar “Beatles”, “Let it Be” mbushi plot 50 vjeç në maj të 2020-s ndërsa në tetor, legjenda e grupit, i ndjeri, John Lennon, do të mbushte plot 80 vjeç.

Kinematografia

Më 11 mars të këtij viti, një gjykatë e Manhatan dënoi me 23 vjet burg për sulm seksual dhe përdhunim, manjatin e Hollivudit, regjisorin dhe producentin e famshëm të yjeve, Harvey Weinstein. Vendimi u dha nga gjykatësi i Gjykatës Kriminale të Manhatanit, James Burke. Më 24 shkurt, një juri në gjykatën e Manhatanit, e shpalli producentin, dikur një nga figurat më të fuqishme e të rëndësishme të Hollivudit, fajtor për akuzat e sulmit seksual ndaj ish-asistentes së tij të prodhimit, Mimi Haleyi, dhe për përdhunim të Jessica Mann, vajza që aspironte të bëhej aktore. Weinstein mbajti një fjalim ngatërrues në gjykatë, kur shprehu simpatinë e tij për meshkujt, nxitur nga lëvizja që kishte nisur në një pjesë të botës, #MeToo, fillimisht nga femrat që e akuzuan ish-producentin për ngacmim seksual. Weinstein tha para gjykatës se po përpiqej të ishte një njeri më i mirë. Më shumë se 100 gra, përfshirë këtu aktore të famshme, akuzuan publikisht, me zë e figurë, Weinstein për ngacmim seksual, shtrirë në dekada. Në gjykatë, 68-vjeçari u shfaq në seancat e fundit mbi karrige me rrota apo paterica, për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore, që i pamundësonte ecjen. Weinstein i mohoi të gjitha akuzat në adresë të tij dhe mohoi të ketë kryer marrëdhënie me ndonjë femër, në kundërshtim me dëshirën e saj. Më vonë, në muajin mars, Weinstein rezultoi pozitiv me Covid-19 dhe u zhvendos për të vuajtur dënimin e tij në një qendër të vuajtjes së dënimit në Nju-Jork, për ta pasur nën kontroll për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore. 

Një tjetër stuhi përfshiu Hollivudin nga muaji qershor e deri në shtator. Teksa pritej publikimi në muajin maj i një kapitulli të ri “The Ickabog”, në sagën e historive e përrallave të autores J.K. Rowling, gjithçka duket se u kthye kundër.

Gjithçka u eklipsua nga akuzat ndaj autores së famshme të “Harry Potter”, për transfobi, të cilat ajo i mohoi, por që nisën pikërisht nga disa postime në Twitter të vetë saj. Rowling kritikoi përdorimin e frazave “Njerëz me menstruacione” në rrjetet sociale. Daniel Radcliffe, që luan rolin e heroit të ri të magjisë, në filmat “Harry Potter” tha se “Gratë transgjinore janë gra”, pas protestës së gjerë në rrjetet sociale, pas atyre që vetë J.K kishte shkruar. Në një ese të publikuar në muajin qershor, Rowling mbrojti të drejtën e saj për të folur për çështjet e transgjinorëve dhe gjinisë në përgjithësi, pa pasur asnjë frikë se me fjalët e saj do të abuzohej kaq shumë, duke rrëfyer për herë të parë se vetë ajo kishte qenë viktimë e abuzimit fizik e seksual. Ajo shkroi me detaje se sa e shqetëson mungesa e të drejtave të femrave, edhe atyre transgjinore.

Një nga karakteret në novelën e saj më të fundit, “Troubled Blood”, ku një vrasës vret një femër, i dedikohet pikërisht një ngjarjeje reale të jetës së saj të mëparshme. Në një debat të gjerë në mediat sociale, pati shumë nga ata që e kundërshtuan publikimin e një novele të re prej saj më 15 shtator, pasi më herët gazeta britanike “Telegraph” kishte shkruar në një kritike, se morali i librit të ri ishte: “Kurrë mos i besoni një burri me kostum”. Kritikë të autores së “Harry Poter”, e akuzuan atë se kishte shprehur hapur paragjykimin e saj përmes transfobisë teksa mbështetësit e saj mbrojtën të drejtën e autores për të shkruar një “fiction”, pa iu trembur konkluzioneve të publikut. “Troubled Blood”, libri me 900 faqe, është seria e pestë e librave të saj, të publikuar nën emrin Robert Galbraith.

Prezantuesja e famshme Ellen DeGeneres e nisi sezonin e ri në televizion, më 21 shtator, me një ndjesë publike ndaj stafit të saj, pas lajmeve që pushtuan mediat gjatë verës, se Ellen krijon një ambient toksik në punë, në sheshxhirime. Vetë 62-vjeçarja tha se gjërat do të ndryshojnë dhe do të nisë bashkë me stafin e saj, një kapitull të ri. 3 producentët ekzekutivë të programit të saj “The Ellen DeGeneres Show” u larguan zyrtarisht, tha Warner Bros në muajin gusht, pasi Ellen ushtronte ndaj tyre dhe pjesës tjetër të stafit, bullizëm, racizëm dhe ngacmim seksual. Gjatë verës u publikuan video dhe mesazhe që flisnin qartë për sjelljen e prezantueses, ku mbi të gjitha spikaste sjellja e saj jonjerëzore me bashkëpunëtorët. Në rrjetet sociale nisi një fushatë, ku stafi dhe fansat kërkuan që 62-vjeçarja të zëvendësohej dhe këto kërkesa u përkrahën publikisht edhe nga artistë të famshëm, mes tyre Katy Perry, Kevin Hart, Alec Baldwin dhe Ashton Kutcher.

Vdekja e papritur e aktorit të famshëm të Bollivudit, Sushant Singh Rajput, më 14 qershor, shkaktoi një debat të ashpër për shëndetin mendor, për botën e egër të Bollivudit, ndërsa mediat kryesisht në Indi, akuzuan familjen e Rajput dhe të dashurën, për vdekjen e aktorit. Fillimisht, policia e raportoi vdekjen e tij si aksidentale ndërsa mediat lokale e quajtën vetëvrasje. Por, agjencia e policisë federale ka nisur tashmë hetimet për një vrasje të mundshme dhe ka pyetur të dashurën e tij dhe të tjerë persona, që mund të jetë të përfshirë në ngjarje.

Më 8 shtator, e dashura, Rhea Chakraborty u arrestua nga Departamenti i Narkotikëve në Indi, që po heton një çështje droge, të cilën mund ta lidhë me vdekjen e aktorit. Ajo i ka mohuar akuzat dhe përfshirje në çështje droge ndërsa avokati i saj e ka quajtur arrestimin, një parodi të drejtësisë. Përgjatë muajve, kjo histori është shndërruar në një obsesion për median në Indi, me mijëra lajme të dedikuara për vdekjen e aktorit 34 vjeç, i gjetur i vdekur në apartamentin e tij në Mumbai.

Racizmi në Hollivud

Mediat sociale u veshën me ngjyrë të zezë më 2 qershor, pasi e gjithë industria e muzikës dhe yjet e saj përfshirë këtu Rihanna, Drake, Katy Perry e dhjetëra të tjerë, shfaqën mbështetjen e tyre për “Blackout Tuesday”. Agjencitë kryesore muzikore, të cilave iu bashkuan qindra kompani të tjera, u zotuan se do të ndërpresin bizneset e tyre dhe do të bashkëpunojnë me komunitetet për të luftuar pabarazinë racore, pas protestave të shpërthyera në mbarë Shtetet e Bashkuara, pas vdekjes së George Floyd, gjatë arrestimit nga policia më 25 maj.

Meghan, Dukesha e Susexx foli për ngjarjet që pasuan vdekjen e Floyd, duke theksuar se ajo vetë është e shqetësuar për faktin se fëmijët e saj do të rriten në një botë ku racizmi ende ekziston dhe godet fort ndërsa protestat e dhunshme në SHBA dhe më tej, i cilësoi si shkatërruese. Meghan foli përmes një video të regjistruar për studentët që diplomoheshin, në shkollën e saj të vjetër në Los Anxhelos, e që u transmetua edhe në televizion më 3 qershor.

Më shumë se 300 aktorë dhe producentë filmash, përfshirë Idris Elba, Queen Latifah dhe Billy Porter, i kërkuan Hollivudit të investojë në filma e prodhime, që në përbërje kanë mesazhin e antiracizmit. Në një letër të hapur, adresuar “Aleatëve të Hollivudit”, ata sulmuan atë që e cilësojnë “trashëgimia e supremacisë së bardhë” në këtë industri, dhe thonë po ashtu se Hollivudi ka inkurajuar ndër vite, epideminë e dhunës policore dhe një kulturë totalisht kundër njerëzve me ngjyrë. Letra, e shkruar nga grupi i aktorëve dhe artistëve të Hollivudit, të grupuar më pas në atë që u quajt “Hollywood 4 Black Lives” dënonte racizmin kulturor dhe politik në SHBA, një lloj racizmi sistematik ndër vite dhe bënte thirrje për protesta masive kundër vrasjes së njerëzve me ngjyrë nga policia. Më herët, në muajin qershor, filmi që i dedikohej luftës civile e që fitoi një çmim Oskar, “Gone With the Wind”, u hoq nga transmetimi në HBO Max Streaming. 24 orë më vonë, DVD-ja e filmit ishte më e kërkuara në Amazon.

Filmi, prodhim i vitit 1939, u rikthye në transmetim në HBO, duke nxitur një debat për kontekstin e tij historik, përmes së cilit denoncohej përshkrimi i fjalës “racist”.

Të njëjtin muaj, fansat e grupit koreano-jugor, BTS, nisën një fushatë në rrjetet sociale, të titulluar #MatchAMillion, me synimin për të mbledhur fonde për të kërkuar drejtësitë sociale, për shumë çështje në Shtetet e Bashkuara. Të quajtur “ARMY”, fansat e BTS arritën të mbledhin 1 milion dollarë në një ditë të vetme, të cilat në emër të bandës muzikore, shkuan si donacione për lëvizjen “Black Lives Matter”.

Trio e muzikës “country”, fitues të cmimit Grammy, Dixie Chicks, e ndryshuan emrin e tyre më 25 qershor, në thjesht “The Chicks”, në një përpjekje të thjeshtë për t’iu bashkuar lëvizjes kombëtare kundër racizmit. “Ne duam të bëhemi pjesë e lëvizjes”, shkroi banda muzikore në uebsajtin e saj zyrtar, pa dhënë më shumë shpjegime. Fjala “Dixie” i dedikohej shteteve jugore të Amerikës, atje ku skllavëria ka qenë legale dhe u veçuan më pas, e luftuan si Konfederata e Shteteve Amerikane, gjatë Luftës Civile.

Trupi që drejton Akademinë e Çmimeve Oscar, më 8 shtator, publikoi detajet për përfshirjen dhe diversitetin që regjisorët e producentët do të duhet të plotësojnë si kritere, në mënyrë që puna e tyre të mund të jetë e denjë për të konkurruar për një çmim Oscar, duke nisur nga viti 2024. The Academy of Motion Picture Arts and Sciences, e cila është kritikuar se ka nderuar me çmime shumë pak filma, aktorë apo regjisorë me ngjyrë, tha se këto standarde të reja do ta bëjnë Hollivudin, që të hyjë në një fazë të re për 5 vitet e ardhshme, në përpjekje për të promovuar diversitetin, para dhe pas kamerës. Rregullat e reja përcaktojnë qartë edhe me përqindje, numrin e aktorëve, stafit të prodhimit, marketingut apo stafit teknik, që duhet të jenë me ngjyrë, burra e gra, njerëz me aftësi ndryshe apo nga komuniteti LGBT.

Reperi amerikan Kanye West, dikur një mbështetës i flaktë i presidentit amerikan Donald Trump, shpalli më 4 korrik kandidaturën e tij zyrtare, duke deklaruar se do të garojë për postin e presidentit të SHBA-së, në një sfidë përballë vetë Trump dhe rivalit tjetër, nga kampi demokrat, Joe Biden. Në takimin e parë elektoral më 19 korrik, West foli ashpër kundër mediave sociale, pornografisë dhe abortit, duke kundërshtuar fort disa ligje që i quajti të papërshtatshme dhe në një moment nisi të qajë.

Një ditë më pas, reperi amerikan postoi një seri fjalimesh në rrjetet sociale, duke u ankuar se edhe gruaja e tij, ylli i “reality show”, Kim Kardashian kishte tentuar disa herë që ta mbyllte të shoqin në qendra trajtimi mjekësor, duke u krahasuar në këtë rast me Nelson Mandelën ndërsa sugjeroi edhe se filmi “Get Out” ishte bazuar në jetën e tij reale. Gjithë furia e shkaktuar në rrjetet sociale, me akuza për familjen e tij, por atë çka mediat sociale sot mund t’i bëjnë jetës së një njeriu, erdhën vetëm një ditë pasi West shpalli zyrtarisht kandidaturën për president të SHBA-së në Çarleston, Karolinën e Jugut.

Shfaqja televizive “Keeping Up With the Kardashians”, përmes së cilës vetë Kim dhe familja e saj u bënë të famshme, por edhe të pasura që prej vitit 2007, do të marrë fund në 2021-shin. Lajmin e njoftoi më 8 shtator në rrjetet sociale vetë Kim. Shfaqja mjaftoi për të lançuar në botën e modës e mbi të gjitha, biznesit, motrat e famshme Kylie, Kendall, Khloe dhe Kourtney, bashkë me nënën e tyre, Chris Jenner.

Në muajin tetor, Kim Kardashian postoi në rrjetet sociale foto nga festimet e ditëlindjes së saj të 40, duke theksuar se ndihej e bekuar që ishte në gjendje të festonte ditëlindjen me njerëzit që e kishin ndihmuar të bëhej gruaja që ishte sot.

Kim organizoi festën, me një rreth të ngushtë miqsh e familjarësh, në një ishull privat, pasi i kishte kërkuar të ftuarve të karantinoheshin paraprakisht për 2 javë. Në kohën e karantinës së detyruar për shkak të Covid-19 dhe masave parandaluese për kufizimin e përhapjes së tij, festa luksoze e Kim, nxiti reagime edhe mes fansave të familjes Kardashian.

Sherret e çifteve hollivudiane

Më 2 nëntor, aktori hollivudian Johnny Depp humbi betejën ligjore ndaj tabloidit britanik “The sun”, e cila më herët e kishte cilësuar 57-vjeçarin, “Dhunues të gruas”, pas vendimit të Gjykatës së Lartë në Londër që e shpalli Depp fajtor pasi kishte goditur vazhdimisht ish-partneren e tij, Amber Heard, dhe kishte vënë jetën e saj në rrezik. Në një vendim që ndjeshëm do të dëmtojë rëndë karrierën dhe reputacionin e aktorit të famshëm, gjykatësi Andrew Nicol tha se pranonte akuzat e ish-bashkëshortes së tij, Amber Heard, sipas së cilës Johnny ishte i dhunshëm dhe e kishte rrahur disa herë e madje kishte ushtruar ndaj saj presionin psikologjik, përgjatë marrëdhënies 5-vjeçare. Pas lajmeve, aktori i famshëm i “Piratët e Karaibeve” paditi tabloidin britanik “The Sun” dhe një prej gazetarëve të saj, Dan Wootton për një artikull të vitit 2018, ku theksohej se Depp kishte ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes Heard. Në 3 javë, duke nisur nga 7 korriku, në një seancë të gjatë në Gjykatën e Lartë të Londrës, gjykatësit u njohën me provat që sipas tyre, siguruan që Johnny Depp kishte ushtruar dhunë e presion të vazhdueshëm ndaj bashkëshortes, kur ishte nën efektin e drogave të ndryshme dhe alkoolit. Depp tha pas vendimit, se do ta apelojë atë, duke i mohuar akuzat dhe provat e paraqitura nga aktorja Amber Heard në gjykatë.

Më 6 nëntor, aktori Johnny Depp tha se në momentin e fundit ishte tërhequr nga pjesëmarrja në filmin “Fantastic beasts”, pasi humbi çështjen kundër tabloidit britanik. Përmes Instagramit, aktori tha se ishte studioja filmike, Warner Bros, që i kishte kërkuar që ai të hiqte dorë nga roli i tij.

Aktorja e famshme e filmit “Shtëpiake të dëshpëruara” apo “Full House”, Lori Loughlin dhe bashkëshorti i saj, stilist i famshëm, Mossimo Giannulli, u dënuan më 21 gusht, me 2 muaj burg. 56-vjeçarja i kërkoi falje gjykatësit Nathaniel Gorton në Boston, duke e quajtur veprimin e saj si të “tmerrshëm” pasi ishte përpjekur të ndërhynte në komisionin e përzgjedhjes së studentëve, falë famës së saj dhe kërcënimeve, në mënyrë të padrejtë. Ajo dhe bashkëshorti i saj u shpallën fajtor në muajin maj, për shkak të skemës mashtruese, për të cilat kishin premtuar se do të siguronin para për universitetin e Kalifornisë së Jugut, pasi diploma e saj ishte falsifikuar sikur e bija ishte kampione atletike.

Loughlin dhe Giannulli ishin mes 55 personave, pjesë e skemës së krijuar me aq mjeshtëri nga konsulenti William “Rick” Singer. Edhe ky i fundit e pranoi para gjykatës se kishte mashtruar me dhjetëra herë në provimet e studentëve për pranimin e tyre në universitete. Prindërit, mes tyre edhe aktorja tjetër Felicity Huffman, u dënuan me burg, nga 14 ditë në 2 muaj. Më 30 tetor, Loughlin u dërgua në burgun federal në Kaliforninë e Jugut, për të nisur vuajtjen e dënimit.

Lufta SHBA-Kinë për TikTok

Më 1 nëntor, Departamenti amerikan i Tregtisë tha se do të mbronte fuqishëm një urdhër ekzekutiv, përmes së cilës kërkohej që të vendoseshin sanksione të ashpra dhe të menjëhershme ndaj kompanisë kineze, që zotëronte aplikacionin TikTok, edhe pasi një gjykatë federale vendosi ta ndalojë këtë veprim. Administrata e Presidentit Amerikan, Donald Trump, theksoi me këmbëngulje se TikTok vinte në rrezik kombëtar të dhënat e mbledhura nga më shumë se 100 milionë amerikanë, që tashmë e kishin shkarkuar dhe vënë në përdorim aplikacionin kinez. TikTok i mohoi kategorikisht akuzat. Por, në mbarë SHBA-në, aplikacioni ishte bërë i famshëm, me miliona adoleshentë të dashuruar pas tij, mjaftueshëm sa për t’i siguruar kompaninë milionë dollarë fitime.

Sipas administratës së Trump, jeta e këtyre të rinjve ishin vënë në rrezik. Në muajin gusht, Microsoft tha se ishte në bisedime me kompaninë kineze, për të blerë një pjesë të aksioneve të kompanisë së medias sociale, veprim që rriti shpresat se ndalimi i TikTok në SHBA do të frenohej.

Yjet që iu bashkuan Instagram-it

Sir David Attenborough tha për herë të parë “Përshëndetje!”, më 24 shtator, kur iu bashkua rrjeteve sociale, për të ngritur edhe aty problematikat për zhvillimet mjedisore. Biologu dhe spikeri i famshëm britanik, i njohur në mbarë botën, sot 94 vjeç, arriti brenda pak orëve në plot 1 milion ndjekës në rrjetet sociale, duke tejkaluar kështu edhe aktoren e serialit “Friends”, Jennifer Aniston dhe fotografinë e saj të famshme nudo, të vitit të shkuar.

Sigurisht që, postimet e tij dhe menaxhimi i rrjeteve sociale ndiqet nga anëtarë të skuadrës që punon me të në filmin dokumentar të realizuar nga Netflix, “David Attenborough: A Life On Our Planet”. Përmes tij, synohet të ngrihen çështje të rëndësishme për mjedisin, me mesazhin për të shpëtuar planetin nga sfidat e përditshme. David Attenborough e ka kaluar të gjithë jetën e tij duke udhëtuar, duke eksploruar vende nga më fantastiket te më të rrezikshmet në planet, duke dokumentuar botën e gjallë, varietetet dhe çmenduritë e saj. Por, po njësoj, është edhe dëshmitar i gjallë i shkatërrimit të mjedisit. Sot, shpëtimin e planetit e sheh një sfidë për botën. Këtë mesazh donte ta ndante me mbarë botën, edhe përmes rrjeteve sociale.

Aktori i filmave pornografikë, Ron Jeremy, u shpall fajtor më 28 tetor për 7 akuza për përdhunim dhe ngacmim seksual, nga 23 viktima. Dënimi u dha nga një gjykatë në Los Anxhelos. Jeremy, 67 vjeç, një nga emrat më të mëdhenj të industrisë së filmave për të rritur, u dënua fillimisht në qershor për përdhunimin e 3 vajzave dhe u akuzua zyrtarisht nga një e katërt për dhunë seksuale. Pas tyre, erdhën edhe dhjetëra denoncime të tjera, 23 në total. Ngjarjet kanë ndodhur në harkun kohor të 17 viteve. Viktimat e tij ishin të moshës nga 15 në 54 vjeç. Vetë Ron Jeremy deklaroi se ishte i pafajshëm. Nëse dënohet edhe për 24 akuza të tjera që rëndojnë mbi të, ai përballet me dënimin prej 330 vjet burg. Jeremy është shfaqur si protagonist kryesor në mbi 2 mijë filma për të rritur, që nga vitet ’70.

Princi britanik, William, tha se mirëpret një hetim të ri, për mënyrën se si rrjeti britanik BBC arriti të sigurojë intervistën e famshme të vitit 1995 me nënën e tij të ndjerë, pas akuzave se princesha ishte futur në kurth për atë intervistë. Hetimi do të drejtohet nga një ish-gjykatës i Gjykatës Supreme dhe do të fokusohet në zbulimin e mënyrës se si rrjeti mediatik arriti të sigurojë intervistën me Dianën dhe se si drejtuesit e BBC mbuluan gjithçka që shkoi keq në atë intervistë.

“Një hetim i pavarur është hapi i duhur në këtë drejtim” tha princi William përmes një deklarate. “Kjo do të ndihmojë që të zbulohet e vërteta, për veprimet që çuan në intervistën në fjalë, dhe vendimet që u morën nga drejtuesit e BBC, në atë kohë”. Gjatë intervistës me gazetarin, Martin Bashir, e ndjekur vetën në Britaninë e Madhe në atë kohë nga më shumë se 20 milionë shikues, Diana shokoi kombin, duke pranuar se e kishte tradhtuar bashkëshortin Charles dhe kishte dhënë detaje intime për martesën e saj të dështuar me atë që do të ishte pasues i mbretëreshës Elizabetë në krye të fronit mbretëror. Në muajin nëntor, vëllai i saj, Charles Spencer tha se BBC kishte dështuar në përpjekjet e saj për të kërkuar ndjesë publike, për atë që sipas tij ishte një intervistë bazuar në dokumente false, për të cilat Diana është futur në kurth. Drejtori i Përgjithshëm i BBC, Tim Davie tha se intervista është transmetuar e plotë, por hetimi do të zbulojë të vërtetën edhe për akuzat e familjarëve të princeshës së ndjerë.