Zgjedhjet e kandidatëve për deputetë PS-PD

Përditësuar më: 1/1/2021, ora 12:05

Zgjedhjet e kandidatëve për deputetë PS-PD

Përditësuar më: 1/1/2021, ora 12:05

Shqiptarët do të votojnë sërish, më 25 prill. Edi Rama kërkon mandatin e tretë, por Lulzim Basha sfidon me rrotacionin politik. Arma kryesore që liderët politikë do të kenë në ditën e “gjykimit”, janë kandidatët. Përzgjedhja e tyre, këtë vit kaloi përmes një filtri paraprak. Lista e socialistëve kaloi nga platforma “Për deputetin që duam”, ndërsa për demokratët, nga procesi i përzgjedhjes së propozimeve për kandidat.

Lista e gjatë me emrat e funksionarëve publikë që mbetën në klasë nga dekriminalizimi, padiskutim që mbetet një njollë në biografitë jo vetëm të atyre që u detyruan të dorëzojnë mandatet ligjërisht, por edhe moralisht për partitë politike që i vendosën në lista.

Nisma e Partisë Demokratike 6 vjet më parë, fillimisht u pa si një lojë nga Partia Socialiste përballë këmbënguljes së Selisë Blu për të dekriminalizuar Parlamentin. Shifrat nuk ishin në favor të Selisë Rozë, që iu desh të distancohej nga emra të rëndësishëm deputetësh apo kryebashkiakësh, që i kishte mbrojtur me fanatizëm deri në minutën e fundit.

Sigurisht që Basha nuk e la t’i kalonte poshtë hundës ky rast dhe ia qëndisi me fjalë kundërshtarit politik largimin e ish-kryebashkiakut të Kavajës: “Roshi është prova e parë që ligji funksionon, me shprehjen më të dashur të tij: “Nuk ka parë gjë akoma”.

Të gjendur jo pak herë edhe përballë presionit të ndërkombëtarëve, duket se më në fund partitë politike po pretendojnë se janë duke bërë katarsis brenda vetes. Listat për kandidatët e ardhshëm për deputetë janë duke i testuar në elektorat.

Të parët që e nisën në praktikë këtë proces ishin demokratët. Ata sfiduan pandeminë dhe kryen një proces fizik votimi. Përmes një udhëzimi në verën e vitit 2020, Selia Blu vendosi që të paraqitet në zgjedhjet e 25 prillit me një listë të filtruar kandidatësh. Procesi i tyre nisi fillimisht me propozimet e bazës. Me qindra emra kaluan në 10 duar, ato të Bujar Nishanit, Genc Rulit, Besnik Mustafajit, Enriketa Papës dhe Mark Markut.

Komisioni bëri vlerësimin e çdo kandidati, nëse përmbushte apo jo kriteret e parashikuara me detaje në udhëzimin për funksionimin e procesit. Pasi votimet në 12 qarqe ngushtuan listën e aspirantëve për deputetë deri në rreth 400, emrat të cilët i janë dorëzuar për vendimmarje finale Kryesisë së Partisë Demokratike.

Në kampin tjetër, Selia Rozë shfrytëzoi teknologjinë. Platforma “Për deputetin që duam” ka mbledhur tashmë vlerësimin për çdo deputet aktual mbi performancën e tij, si dhe ka thithur prurje të reja përmes shprehjes së dëshirës për t’iu bashkuar skuadrës socialiste më 25 prill. Nga ky proces, nuk do të shpëtojnë as ministrat, e aq më pak edhe vetë kryeministri.

Demokratët kërkuan deri në detaje shumë intime e personale në formularin e vetëdeklarimit për kandidat, duke kapërcyer edhe formularin standard të dekriminalizimit. Në formularin demokrat, me rreth 40 faqe, secili prej personave që e plotëson duhet të tregojë të paktën 3 kolegë apo shokë dhome në universitet, të cilët kanë dijeni për jetën e tyre private, ka pasur apo jo ndonjëherë probleme mendore dhe a ka kërkuar konsultim me psikologun apo psikiatrin, nëse ka përdorur ndonjëherë lëndë narkotike.

Nga procesi përzgjedhës i PD-së pati mjaft pakënaqësi, ku emra dhe figura që kanë qenë edhe deputetë, i Ervin Salianjit, Klevis Balliut apo edhe Tritan Shehut, u skualifikuan nga gara. Por, për Selinë Blu, kjo nuk është humbje.

Kundërshtarët e përjetshëm politikë anatemuan proceset zgjedhore përkatëse. Deklarata të tilla nuk lënë asnjë vend në dukje për të bashkëpunuar në shkëmbimin e modeleve të aplikuara për zgjedhjen e kandidatëve.

Akuzat hidh e prit majtas e djathtas, nuk lanë pa prekur edhe majën e hierarkisë.

Megjithatë, pak më shumë se 100 ditë nga zgjedhjet, risitë i takojnë proceve parazgjedhore, por jo listave të kandidatëve për deputetë. Rezultatet paraprake të PD-së e PS-së tregojnë se më shumë se 70% e listës do të jetë e ricikluar dhe pak vend do të ketë për prurje të reja në zgjedhjet e përgjithshme të 25 prillit.