Festimet për Vitin e Ri nëpër botë

Bota i tha lamtumirë një viti të vështirë, duke pritur plot shpresë, por pa shumë zhurmë, vitin 2021. Në asnjë prej kryeqyteteve të mëdha të botës festimet nuk ishin si zakonisht, diku pa fishekzjarre e diku tjetër me sheshe të boshatisura nga turmat, si pasojë e masave kundër koronavirusit.

Vetëm pak të ftuar, përfshirë punonjës të shëndetësisë dhe të tjerë në vijën e parë të betejës kundër pandemisë, u mblodhën në Times Square të Nju Jorkut për të shijuar ceremoninë tradicionale të lëshimit të topit të kristaltë, që shenjoi fundin e një viti të trishtë. Zakonisht, sheshi mbushet me mijëra vendas e turistë, që presin me durim në të ftohtë, derisa topi të arrijë në fund, për të shpërthyer më pas në puthje dhe përqafime.

Ndërrimi i viteve në Paris erdhi tërësisht në heshtje, me bulevardin e famshëm të Champs Elisee që ishte thuajse i zbrazët kur akrepat shënuan mesnatën.

Edhe në Berlin, festimet ishin të ndaluara, por banorët hodhën fishekzjarrë nga ballkonet, duke shkaktuar një sërë incidentesh rreth kryeqytetit. Në 6 minutat e para pas mesnatës, zjarrfikësit u njoftuan për rreth 18 zjarre.

E zymtë atmosfera edhe në Londër, ku këtë vit akrepat e Big Benit shënuan jo vetëm ndërrimin e viteve, por edhe nisjen e një epoke të re, pas shkëputjes zyrtare nga Bashkimi Europian.

Fishekzjarret ndriçuan qiellin mbi Akropol në Athinë, për të mirëpritur vitin 2021, por grekët nuk u lejuan ta shijonin pamjen.

Shfaqje fishekzjarresh pati edhe në Sheshin e Kuq të Moskës, i cili ishte i mbyllur për publikun. Megjithatë, dhjetëra qytetarë e ndoqën spektaklin nga një pistë patinazhi pranë Kullës së Kremlinit.

Në Dubai, vizitorë dhe vendas u lejuan të mblidheshin pranë kullës ikonë të Burj Khalifa, për të festuar nisjen e vitit 2021. Vendi është i hapur për turistët, por pjesës më të madhe u kërkon test negativ të koronavirusit në mbërritje.

Më të zjarrta festimet ishin në qytetin kinez të Wuhanit, ku turma të mëdha njerëzish festuan të shpenguar nëpër rrugë ardhjen e Vitit të Ri, pas një viti të shënjuar nga pandemia. Pamjet që erdhën nga qyteti ku e pati origjinën koronavirusi, bënin kontrast me atmosferën në pjesën më të madhe të botës.

Australia dhe Zelanda e re ishin mes të parave që i uruan mirëseardhjen vitit 2021.