Humanizmi, aftësia që nuk mund të kufizohet

Jeta është një dhuratë e çmuar, por jo çdokush i shijon plotësisht momentet që ajo të ofron. Mijëra njerëz nuk mund të shohin, siç ndodh me 60-vjeçarin Aliko Aliko, të cilin e gjetëm teksa pinte kafe me bashkëshorten, Portokallen, në ditën kur festonte 50-vjetorin.

Tek ajo ka mbetur vetëm 5% e shikimit, ndërsa Aliko është në errësirë totale.

Shumë të tjerë, si Flamur Bala, nuk hedhin dot asnjë hap, por 31-vjeçari nga Durrësi është shpresëplotë.

Shumë janë ata që nuk dëgjojnë apo flasin. Handikapet mendore janë gjithashtu një problematikë tjetër. Studimet dhe sondazhet, ku janë pyetur me qindra persona me aftësi të kufizuara, flasin për shifra gjithnjë e në rritje të pakënaqësive të tyre, thuajse në të gjitha aspektet e jetës.

Pothuajse 15% e popullatës globale ka një aftësi të kufizuar dhe data kur ata përmenden më shpesh është 3 dhjetori. Por, çfarë ndodhi në Shqipëri në këtë datë? Në Durrës u protestua, kryesisht për mungesën e hapësirave. Në Tiranë, shoqatat përkatëse dolën në konferencë për shtyp.

Nga ana e saj, këtë fundvit, qeveria dha fonde shtesë për ta. Por, përtej këtij mirëkuptimi, duket se diçka më mirë duhej bërë. Një shembull model është Kanadaja, ku ministrja përkatëse ngriti një ekip që merrej drejtpërdrejt me personat me aftësi të kufizuar. Krijoi vende pune për ta dhe i siguroi që ishin pjesë e planit.

Gjithsesi, Shqipëria kjo është dhe mundësitë po ashtu janë të kufizuara, por neglizhenca ndaj tyre është e patolerueshme. Zv-ministrja ka shpresë se ky shqetësim do të gjejë zgjidhje.

Statistikat shtetërore flasin për një tjetër realitet.

Duket se Flamuri 31-vjeçar e ka gjetur vetë rrugën e jetës dhe pasioni i tij është modifikimi i automjeteve për personat me aftësi ndryshe. Ai ka projekte të mëdha, të cilat duket se janë zgjidhje praktike, përsa i përket lehtësimit të lëvizshmërisë së personave si ai në ambiente të ndryshme.

Aliko dhe bashkëshortja e tij jetojnë në një banesë sociale në Shkozë. Ai nga Këlcyra, ajo nga Skrapari. Ata janë njohur para disa vitesh tek shoqata e të verbërve. Vrazhdësia e jetës dhe vitet që kaluan, ua kanë pamundësuar lindjen e një fëmije, por ata mbështeten tek njëri-tjetri. Ata tregojnë dramën që kaluan: “Mua më ka ndodhur sapo mbarova shkollën e mesme. Më doli një puçërr në fytyrë, nga ajo pësova infeksion. Shkova në spital me temperaturë të lartë dhe pas një jave më kanë ikur sytë”.

Ajo mund të jetë e dobishme, aty ku banon: “Këtu ku jemi, ka nevojë te pjesa sociale. Mund të bëjë aty punë të vogla”.

Mesazhet e jetës janë të vetmet rreze shprese mes këtij zinxhiri vështirësish.

Thirrjet për ringritje me patjetër duhen shoqëruar me pranimim e personave me aftësi ndryshe, ose siç shprehej ministrja kanadeze, t’i bëjmë ata pjesë të planit dhe kjo nuk kërkon as më shumë e as më pak sesa thjesht humanizëm. Si mund ta arrijmë këtë, çfarë duhet të bëjmë, çfarë kontributi mund të japim?

Mjafton që secili prej nesh të zgjasë një dorë drejt personave me aftësi ndryshe, që ditët e tyre shpesh bardhë e zi të nisin të plotësohen me ngjyrat e jetës…