Në hapat e legjendave të MotoGP

“Dua të shkoj në disko”. Këto ishin fjalët e Joan Mir pasi u bë piloti i 27 që u kurorëzua kampion bote në MotoGP. Por, nuk mundi të kishte as djersë, as alkool, dhe asnjë lloj shfrenimi në klubet e natës së Valencias në orët e para të mëngjesit të 15 nëntorit, sepse ky sezon ishte si asnjë tjetër më parë. Shqetësimi më i madh i 23-vjeçarit gjatë muajve të fundit nuk ishte rrëzimi apo ndonjë defekt në motor, por ishte frika e infektimit nga virusi që ka transformuar botën.

Ky ishte një lloj presioni krejti ri për pilotët e MotoGP dhe nuk ishte shqetësim i parëndësishëm, sepse në të njëjtën kohë Moto2 dhe Moto3, dy kategoritë pas MotoGP, u goditën rëndë nga Covid-19. Jorge Martin dhe Tony Arbolino, dy pilotë të niveleve më të ulëta, u kushtëzuan në duelin e tyre për titull vetëm për shkak të virusit. Martin rezultoi pozitiv në shtator, duke u detyruar të humbasë dy gara, ndërsa Arbolino mungoi në dy gara vetëm për shkak të rregullave italiane të karantinës.

Joan Mir e dinte se virusi mund të shkatërronte ëndrrat e tij, kjo është arsyeja përse shkonte menjëherë në shtëpi mes garave dhe qëndronte i vetmuar: “Normalisht, presioni duhet të jetë në pistë dhe jo në shtëpi. Nga shtëpia nuk isha në gjendje të shkëputesha sepse kisha frikën e infektimit dhe kjo e bëri situatën shumë më të vështirë”.

Botërori i vitit 2020 në MotoGP ishte ndër më të veçantët në histori, me nëntë fitues të ndryshëm nga 13 gara dhe me sfidën e titullit që varioi nga përplasjet, problemet me gomat, kushteve të ftohta e deri te kalendari i vonuar nga Covid.

Sekreti i Mir ishte qëndrueshmëria. Ai grumbulloi vazhdimisht pikë me Suzukin e tij, ndërsa rivalët një fundjavë ngjiteshin lart në renditje e zbrisnin poshtë në tjetrën. Suzuki nuk është motori më i shpejtë MotoGP, por i përshtaten gomat më mirë se çdo motori tjetër, çka përbën edhe sekretin e garave me goma të specifikuara. 

Mir është një nga kampionët e MotoGP i cili e ka fituar titullin në një periudhë shumë të shkurtër. Karriera e tij me çmimet e mëdha nisi në pranverën e vitit 2016, ndaj ky është vetëm sezoni i tij i pestë në nivelin botëror dhe vetëm i dyti në klasin mbretëreshë. Shumë pak pilotë janë ngjitur në majën më të lartë të garave në më pak se pesë vjet në shtegun e kampionatit botëror. Në këtë mënyrë, Mir i bashkohet grupit me emra të mëdhenj si Nicky Hayden, Eddie Lawson, Freddie Spencer, Kenny Roberts, Giacomo Agostini dhe Mike Hailwood. Që të gjithë erdhën, panë dhe pushtuan dy herë më shpejt se të tjerët.

Mir është miqësor dhe i thjeshtë në maksimum për një pilot të MotoGP. Ndryshe nga shumë pilotë të rinj në botën e sotme, të fiksuar pas imazhit, spanjolli më shumë sesa te syzet dhe xheli i flokëve është i përqendruar në të qenit i shpejtë. Ai vjen nga ishulli i Majorkas, vendlindja e tre herë kampionit të MotoGP, Jorge Lorenzo, babai i të cilit, Chicho Lorenzo, i mësoi djalit të tij, por edhe të rinjve të tjerë, se si të ngasin. Mir bëri hapat e tij të parë për të qenë garues në Chicho Competición. Mësimet e Chicho nuk përfshijnë fëmijët që garojnë me shpejtësi në pista të papastra derisa rrëzohen. Kërkon përsëritje të pafund të ushtrimeve me shpejtësi të ulët rreth koneve dhe pistave të kartit, derisa përsosja të bëhet një në ndërgjegjjen e pilotit. Ndaj, nuk është për t’u habitur që stili i ngasjes së Mir i ngjan shumë atij të Lorenzos: i qetë, i përkushtuar dhe njësh me motorin.

23-vjeçari u ngjit me shpejtësi: nga kampionati Balearic te fitorja në serinë 125cc PreGP në Spanjë dhe vendi i dytë në Red Bull Rookies. Në 2015 ai provoi serinë CEV Moto3, duke verbuar me shpejtësinë e tij e më pas bëri debutimin e tij në një Gran Prix në Phillip Island, duke zëvendësuar një pilot të dëmtuar. Ai fitoi titullin e tij të parë botëror në vetëm sezonin e tij të dytë të garave me çmime të mëdha, kur dominoi plotësisht kampionatin e vitit 2017 në Moto3, para se të ngjitej në një kategori më lart një vit më pas. Mir u fut menjëherë në ritëm dhe ishte shumë pranë podiumit në garën e tij të tretë në klasin mbretëreshë, por nuk ia doli në pistën e Teksasit, në prill të vitit 2018.

Ky rezultat ishte një tregues i qartë për çdo skuadër në MotoGP që vëzhgonte me kujdes përparimin e tij. Dy javë pas paraqitjes në Austin, menaxherët e Suzukit kontaktuan Mir në garën e Herez dhe shumë shpejt arritën një marrëveshje. Suzuki dyshoi nëse kishte marrë apo jo njeriun e duhur, sepse pas tre podiumeve në gjysmën e parë të sezonit 2018 në Moto2, Mir pësoi rënie. Ai u rrëzua në tre gara që në xhiron e parë dhe e shpagoi skuderinë me vetëm një vend të dytë të vështirë në Phillip Island, prapa Brad Binder.  

Sezoni i tij i ri në MotoGP kishte shumë ulje-ngritje, por Suzuki nuk e vuri nën presion. Kontrata e tij ishte 2-vjeçare dhe besonte se do të përmirësohej brenda asaj kohe. “Në këtë moment ata më thane “mos u shqetëso për rezultatin, thjesht mësohu me garat, motorindhe rivalët”, do të shprehej Mir në Assen, vitin e kaluar.

Pesë javë më vonë, një përplasje e tmerrshme me 290 km/h gjatë provave në Brno të Çekisë e dërgoi Mirin në spital me dëmtime jo vogla. Për ta shtuar dramën, inxhinierët e Suzukit e dinin që aksidenti ishte shkaktuar nga një defekt teknik, por ata nuk ishin të sigurt se çfarë. Ka disa gjëra më shqetësuese për një pilot, sepse ai nuk mund të jetë i sigurt se si do ta shmangë një tjetër përplasje kur të hipë herën tjetër në motor. Mir humbi dy gara duke u rikuperuar nga dëmtimet e tij dhe u kthye në aksion në Misano, ku u kualifikua i dhjeti dhe përfundoi i teti. Ajo ishte një fundjavë tjetër jashtëzakonisht e rëndësishme. Aftësia për t’u rikthyer edhe nga përplasja më e frikshme është parakusht për madhështinë që ka MotoGP.  

“Unë jam i ri, ky është sekreti. Jam i vetëdijshëm për faktin se dhjetë vjet më vonë kjo do të jetë më e vështirë për mua, por tani nuk është një problem”, shprehej Mir pas aksidentit të frikshëm.

2020 për spanjollin nisi menjëherë pa pikë. Mir u rrëzua pasi u përplas në xhiron e dytë të garës së Spanjës. Ai tentoi një manovër të vështirë në kthesat e para. Kualifikimi është pika e vetme e dobët e Suzukit, por performanca mahnitëse e hyrjes në hapësira të ngushta i lejoi 23-vjeçarit që të gdhendë rrugën drejt titullit.  

Mir ka pasur edhe pjesën e tij të fatit të keq. Në Brno ai kryente nxemjen ditën e garës në mëngjes, së bashku me Brad Binder, për të parë shpejtësinë që mund të arrinte. Në garën e radhës në RedBull Ring ai dha sinjalet e para të titullit me podiumin e tij të parë në MotoGP. Javë pas jave ai ishte në rrugën e duhur për një fitore të parë, në Çmimin e Madh të Stirias ishte vetëm një hap larg në momentin që gara u ndal nga flamuri i kuq pas aksidentit të frikshëm të Maverick Vinales.

Pas këtij vendi të dytë në Austri, ecuria e tij ishte e shkëlqyeshme: i treti dhe i dyti në Misano, i dyti në Catalunya, dy vende të treta në Aragon dhe më në fund fitorja në garën e parë në Valencia. Fitorja në vendlindje kurorëzoi spanjollin për herë të parë kampion të MotoGP.

Tashmë, të gjithë shpresojnë që Botërori i vitit 2021 të mos diktohet më nga Covid-19 dhe bota do ta shohë Mir të mbrojë titullin e tij kundër gjashtë herë kampionit, një prej pilotëve më të talentuar që mungoi për shkak dëmtimi në MotoGP, Marc Márquez.