Nga 1 janari nuk i nënshtrohet më rregullave të BE-së, Britania nis kapitullin e ri

Një epokë e re ka nisur për Mbretërinë e Bashkuar, me mbylljen një herë e mirë të kapitullit Brexit. Nga mesnata, Britania e Madhe nuk do të ndjekë më rregullat e Bashkimit Europian, ndërsa marrëveshje zëvendësuese për udhëtimet, tregtinë, emirgacionin dhe bashkëpunimin në fushën e sigurisë, hynë në fuqi.

Boris Johnson tha se vendi kishte lirinë në duar dhe aftësinë për t’i bërë gjërat ndryshe dhe më mirë, tani që procesi i divorcit kishte marrë fund: “Ky është një moment i mrekullueshëm për vendin tonë. Kemi lirinë në duar dhe na takon ne ta shfrytëzojmë si duhet. Dhe mendoj se do të jetë instikti i të gjithë popullit: të jemi të bashkuar të gjithë si Mbretëri e Bashkuar”. 

Por, kundërshtarët e shkëputjes nga Bashkimi Europian mendojnë se vendi do të jetë më keq, tani e tutje. Kryeministrja e Skocisë, Nikola Sturgeon, tha përmes një postimi në Twitter se Skocia do të kthehet shpejt në Europë.

Kamionët e parë që mbërritën në kufi, hynë në Britaninë e Madhe dhe Bashkimin Europian pa vonesa. Por, një kompani tragetesh njoftoi se 6 ngarkesa me mallra u kthyen mbrapsht, pasi nuk kishin dokumentat e duhura. Qeveria britanike ka paralajmëruar se do të vazhdojë të ketë disa pengesa gjatë ditëve e javëve në vazhdim, derisa kompanitë të mësohen me ndryshimet dhe rregullat e reja.

Britania e Madhe u shkëput zyrtarisht nga Bashkimi Europian në 31 janar, 3 vite e gjysmë pasi populli votoi pro Brexit në referendumin e 2016-s. Por, vendi iu nënshtrua rregullave tregtare të unionit edhe për 11 muaj të tjerë, ndërsa të dyja palët negocionin marrëdhënien e ardhshme tregtare. Një ujdi historike e arritur në vigjilje të Krishtlindjeve u kthye në ligj ditën e mërkurë.