“Santa” Smajlaj, stërvitje edhe në pushime

Jemi në periudhë festash, Viti i Ri sapo ka ardhur. Por atleti shqiptar, Izmir Smajlaj, nuk e ndal në asnjë moment stërvitjen.

Në një postim në rrjetet sociale, kampioni shqiptar është parë të kryejë stërvitje intensive edhe në ditën e parë të vitit, duke veshur këtë herë “uniformën” e festave, atë të Santa Claus.

Smajlaj, kampion Europe në vitin 2017 në kërcim së gjati, synon të përsërisë suksesin në Kampionatin Europian dhe atë Botëror, që zhvillohen në mars të këtij viti. Një tjetër objektiv është edhe paraqitja sa më e mirë në Olimpiadën e Tokios, të programuar për në vitin 2020, por të shtyrë për në vitin 2021 për shkak të pandemisë së koronavirusit.