Teatri, vit pas viti

Beteja më e fortë artistike në Shqipërinë demokratike, një betejë që zgjati thuajse 20 vite, është ajo për Teatrin Kombëtar. Sot, ndërtesa e prishur na kthen pas në vite, kur edhe kundërshtarët ishin të tjerë.

Gati 3 vite më parë, ky debat u ringrit. Artistët u mblodhën në Akademinë e Arteve, në sallën “Black Box”. Robert Ndrenika, në shkurt të vitit 2018, shprehej: “Ne nuk duhet të lejojmë që të prishet ai teatër pa marrë vesh se çfarë do të bëhet në të”.

Këto janë ditët e para të protestës fizike të artistëve. Është marsi i vitit 2018. Artistët dolën të parët në shesh, por pas dëgjesave të para publike, jo të gjithë mbajtën të njëjtin qëndrim. Shumë prej tyre u larguan kur dëgjuan për projektin e ri. Një pjesë tjetër e artistëve vijuan protestën.

Ministrja e Kulturës, shumë shpejt do të ishte ministre e Rindërtimit, ndërsa Teatri Kombëtar do t’i kalonte në pronësi bashkisë, e cila më herët premtoi se do ta ndërtonte me paratë publike teatrin e ri kombëtar.