Yjet që u shuan në vitin 2020

Skenaristi dhe producenti televiziv amerikan, Silvio Horta, që adaptoi hitin kolumbian, telenovelën “Yo soy Betty, la fea” në filmin që siguroi një Golden Globe dhe një cmim EMMY, si seriali më i mirë i transmetuar, “E shëmtuara Beti” me aktoren America Ferrera, u gjet i vdekur në një dhomë hoteli në 7 janar, në atë çka policia e raportoi si një vetëvrasje, pas luftës së gjatë me varësinë nga droga dhe depresioni. Horta ishte vetëm 45 vjeç.

Neil Peart, bateristi legjendar i bandës muzikore kanadeze të muzikës “rock”, “Rush”, u nda nga jeta më 7 janar në Santa Monica, në moshën 67-vjeçare. Shkaku i vdekjes ishte kanceri në tru. Themeluar në Toronto në vitin 1968, grupi muzikor fitoi disa çmime për hitet “Tom Sawyer”, “The Spirit of Radio” dhe “YYZ”.

Rocky “Soul Man” Johnson, mundës profesionist, babai i aktorit Dwayne “The Rock” Johnson, humbi jetën në moshën 75-vjeçare më 16 janar. Mundësi, i lindur në Kanada, u shndërrua në një yll të sportit të mundjes, duke fituar edhe titullin kampion, pasi e nisi karrierën e tij në mes të viteve ’60. Pas tërheqjes nga ringu në vitin 1991, “The soul Man” nisi të trajnojë të birin Dwayne, në atë kohë vetëm 19 vjeç, duke e bërë pjesë të këtij sporti. Në atë periudhë ai nisi të bëhej i njohur për botën e mundjes si “The Rock” dhe sot është një nga aktorët më të pasur të Hollivudit.

Terry Jones, një nga komedianët më të famshëm britanik të “Monty Python” u nda nga jeta në moshën 77-vjeçare, më 22 janar. Lindur në Uells, Jones ishte po ashtu regjisor dhe historian. Prej kohësh ai vuante nga një formë e rrallë e çrregullimeve mendore, e cila nisi t’i shkaktojë nga viti 2016 probleme me të folurit. Jones ishte po ashtu një nga krijuesit e “Monty Python’s Flying Circus”.

Jim Lehrer, prezantuesi më jetë gjatë i lajmeve në PBS dhe 12 herë moderator i debateve presidenciale amerikane mes viteve 1988-2012, u nda nga jeta më 23 janar, në moshën 85-vjeçare. Lehrer ishte padyshim zëri zyrtar i industrisë së lajmeve në SHBA. Ai moderoi më shumë debate televizive se çdokush tjetër, në historinë amerikane.

Ylli i basketbollit amerikan, Kobe Bryant, 41 vjeç, vajza e tij Gianna, 13 vjeç dhe 7 persona të tjerë humbën jetën më 26 janar, ku helikopteri me të cilin udhëtonin, u rrëzua për shkak të mjegullës së dendur në Calabasa, në veri të Los Anxhelos. Vdekja e tij shokoi sportin dhe mbarë botën.

Kirk Douglas, ylli i kinematografisë që luftoi gladiatorët, kaubojsat e boksierët në ekran dhe një nga themeluesit e Hollivudit, u nda nga jeta më 5 shkurt, në moshën 103-vjeçare. Lajmin e bëri publik i biri, Michael Douglas.

Kirk Douglas mori pjesë në më shumë se 90 filma gjatë jetës së tij, për më shumë se 7 dekada, me role në filma legjendare ku spikat “Spartacus” dhe “The Vikings”, duke bërë që kinematë në vitet ’50 dhe ’60 të arkëtojnë shuma marramendëse vetëm nga shitjet e biletave. Roli i tij në Hollivud ishte i pazavënëdësueshëm ndër vite, si aktor, regjisor dhe skenarist, edhe pse ishte në “listën e zezë” për lidhjet e tij me lëvizjen komuniste të viteve ’50. Douglas tha se për këtë lëvizje ishte më shumë krenar se për çdo film që ka bërë.

Orson Bean, aktori veteran i njohur për karakterin në filmin “Being John Malkovich”, për rolin në dramën e CBS “Dr. Quinn, Medicine Woman” dhe si prezantues i shfaqjeve të ndryshme televizive, humbi jetën më 7 shkurt, pas një aksidenti me makinë në Los Anxhelos. Ai ishte 91 vjeç. Ai do të mbahet mend edhe për rolet e tij në filmat “Anatomy of a Murder” në 1959 dhe “Innerspace” në 1987.

Aktorja e re koreano-jugore, Koh Soo-jeong, e cila u shfaq në një video promocioni të qytetit, bashkë me grupin e famshëm BTS, humbi jetën nga një sëmundje e paspecifikuar, lajmëroi më 12 shkurt agjencia e saj. Aktorja 24-vjeçare u shfaq për herë të parë në vitin 2016 në serialin dramatik “Goblin”. Një vit më vonë ajo luajti në videon që promovonte kryeqytetin Seul, bashkë me BTS. 

Lynn Cohen, aktorja veterane e teatrit dhe kinemasë, e njohur edhe për rolin e saj si Magda në filmin “Sex and the City”, u nda nga jeta më 14 shkurt, në moshën 86-vjeçare.

Prezantuesja televizive, britanikja Caroline Flack, drejtuese e serive televizive “Love Island”, u nda nga jeta më 15 shkurt, duke kryer vetëvrasje, në moshën 40-vjeçare. Flack, e cila braktisi shfaqjen në dhjetor të 2019-s dhe sapo do të niste një gjyq ndaj të dashurit të saj, tenistit Lewis Burton për dhunë fizike, u gjet e pajetë në shtëpinë e saj në Londër. Ylli i televizionit britanik, e nisi karrierën e saj në vitin 2002 si aktore, në komedinë “Bo’ Selecta!”. Më pas iu bashkua rrjetit televiziv ITV, duke drejtuar shfaqje “I’m a Celebrity…Get Me out of Here Now!” dhe “The Xtra Factor”. Ajo u bë drejtuesja e “Love Island” në 2015-n, ndërsa në 2016 fitoi çmimin e parë në konkursin e kërcimit “Strictly Come Dancing”.

Barbara ‘B.’ Smith, një personalitet televiziv, guru e stilit të jetës, restauratore, autore dhe ish-modele, humbi jetën më 22 shkurt, në moshën 70-vjeçare. Prej vitesh ajo vuante nga Alzhaimeri. Në vitin 1976 ajo u bë modelja e dytë me ngjyrë që shfaqej në kopertinën e revistës “Mademoiselle”. Smith drejtoi shfaqjen “B. Smith with Style” për thuajse 1 dekadë në NBC, përpara se sëmundja t’ia pamundësonte daljen në ekran. Përpara se gjendja e saj të rëndohej, deri në humbjen totale të kujtesës, Smith shkroi librin “Përpara se të harroj”, bashkë me të shoqin Dan Gasby, në të cilën përshkruante sesi përballej cdo ditë me këtë sëmundje.

Mike Hughes, konspiracionisti i “Daredevil” dhe “Flat-Earth”, humbi jetën më 22 shkurt në shtëpinë e tij në Kaliforni. Kanali i shkencës njoftoi se 64-vjeçari humbi jetën në përpjekjen për të lëshuar një raketë të prodhuar nga vetë ai në shtëpi. Hughes do të mbahet mend si njeriu që performoi aftësi të jashtëzakonshme, të rrezikshme, me qëllimin e vetëm për të vendosur rekorde të reja botërore.

James Lipton, krijuesi dhe drejtuesi i shfaqjes televizive “Inside the Actors Studio” humbi jetën në moshën 93-vjeçare, më 2 mars. Lipton, i cili kishte realizuar për më shumë se 20 vjet intervista me qindra yje të Hollivudit, vdiq në shtëpinë e tij në Nju Jork, pas sëmundjes së kancerit.

Max von Sydow, aktori me origjinë suedeze, i famshëm për rolet e tij në filmat dramatikë e horror, u nda nga jeta më 9 mars në Francë, në moshën 90-vjeçare. Ai lindi në Suedi, por pas zhvendosjes së familjes në Amerikë, ai studioi për t’u bërë aktor teatri, duke luajtur ndër vite në më shumë se 120 filma, në shtete të ndryshme të botës. Më shumë ai do të mbahet mend për rolin e tij në filmin e vitit 1973, horrorin klasik “Ekzorcisti”. Roli i fundit i Von Sydow në ekran ishte ai në filmin “Star Wars: The Force Awakens”, në 2015.

Aktori i kandiduar për një çmim Oscar, Stuart Whitman u nda nga jeta më 16 mars. Në moshën 92-vjeçare, Whitman vdiq në shtëpinë e tij në Kaliforni, pas një sëmundjeje të rëndë.

Më 17 mars u nda nga jeta në moshën 84-vjeçare aktori Lyle Waggoner, i famshëm për rolet e tij në filmat “The Carol Burnett Show” dhe “Gunsmoke”. Gjatë viteve ’60-’70 ai u shfaq në një seri shfaqjesh televizive, sikurse edhe në filma, mes tyre “Wonder Woman”. Në fillim të viteve ’80, iu dedikua biznesit privat.

I famshëm për këngët “The Gambler” dhe “Islands in the Stream”, këngëtari fitues i çmimit Grammy, Kenny Rogers, humbi jetën më 20 mars në moshën 81-vjeçare. Pasi e filloi karrierën në vitet ’50 si pjesë e një grupi të muzikës xhaz, ylli i muzikës “country” nisi karrierën solo në vitet ’70 dhe në 1977 publikoi hitin e tij të parë, atë që do të thyente rekord për nga shitjet, “Lucille”. Ai e ndau skenën në vitin 1982 edhe me Dolly Parton, si partner në duetin “Islands in the Stream”. Pavarësisht moshës, në 2016 ai nisi një tur botëror, por në prill të vitit 2018 u detyrua ta anulojë për shkak të problemeve shëndetësore.

Albert Uderzo, ilustrues dhe krijues i serive të famshme komike “Asterix and Obelix” u  nda nga jeta në moshën 92-vjeçare, më 24 mars, në shtëpinë e tij në Paris, pas një ataku në zemër, që nuk kishte lidhje me koronavirusin.

Saksofonisti dhe këngëtari me origjinë nga Kameruni, Manu Dibango, humbi jetën për shkak të infeksionit koronavirus, sipas një deklaratë zyrtare në Facebook-un e tij më 24 mars. Ai do të mbahet mend për singëllin e tij të vitit 1972 , “Soul Makossa”.

Skenaristi i famshëm, fitues i çmimit Tony Award, Terrence McNally, i njohur për filmat “Love! Valour! Compassion!” dhe versionin mjuzikëll të “Kiss of the Spider Woman,” humbi jetën më 24 mars, në moshën 81-vjeçare, pas komplikacioneve nga koronavirusi. Veteran i teatrit të Broadway, sapo i kishte shpëtuar sëmundjes së kancerit, por që i la pasoja të rënda në rrugët e frymëmarrjes. Karriera e McNally shtrihej në më shumë se 6 dekada, me drama muzikore dhe opera të ndryshme, që i dhuruan dhjetëra tituj ndërkombëtarë.

Krzysztof Penderecki, një nga kompozitorët më të famshëm në botë, u nda nga jeta në moshën 86-vjeçare. Polaku u bë i famshëm pasi kompozoi muzikën për filmat e famshëm si “Ekzorcisti”, “The Shining” apo “Wild at Heart”. Gjatë karrierës ai rrëmbeu 4 çmime Grammy për muzikën e tij.

Muzikanti dhe tekstshkruesi Adam Schlesinger, i njohur edhe si një nga anëtarët e bandës muzikore të muzikës pop-rock të viteve ’90, “Fountains of Wayne”, u nda nga jeta më 1 prill, në moshën 52-vjeçare, për shkak të koronavirusit. Wayne fitoi një çmim Emmy për punën e tij në serialin televiziv “Crazy Ex-Girlfriend” dhe u nominua për një çmim Oscar në vitin 1997, për kolonën zanore të filmit “That Thing You Do”.

Po në të njëjtën ditë, prej koronavirusit u nda nga jeta në moshën 85-vjeçare edhe muzikanti amerikan Ellis Marsalis. Ai ishte i famshëm si pianist xhazi dhe mësues, i cili karrierën e nisi në vitet ’80. 4 nga djemtë e tij ndoqën rrugën e të atit, duke u bërë po ashtu muzikantë. Në vitin 2008, Ellis Marsalis u nderua me emrin e tij në Murin e Famës në Luizianë.

Patricia Bosworth, shkrimtarja amerikane dhe aktorja që luajti në krah të Audrey Hepburn në filmin e vitit 1959, “The Nun’s Story” , u nda nga jeta më 2 prill, në moshën 86-vjeçare.

Bill Withers, këngëtar i muzikës soul, i famshëm për hitet e viteve ’70 si “Lean on Me,” “Lovely Day” dhe “Ain’t No Sunshine,” u nda nga jeta në moshën 81-vjeçare, pas problemeve në zemër.

Aktorja britanike Honor Blackman, e famshme për rolin e saj në filmin e James Bond, u nda nga jeta më 6 prill, në moshën 94-vjeçare, për probleme natyrale. Ajo u bë e famshme pas rolit të saj në filmin e agjentit 007, “Goldfinger,” të vitit 1964, e më pas edhe në serialin dramatik televiziv si Cathy Gale në “The Avengers”.

Këngëtari fitues i çmimit Grammy, John Prine, një nga tekstshkruesit më me influencë të gjeneratës së tij, u nda nga jeta më 7 prill, në moshën 73-vjeçare. Prine ishte shtruar në spital prej 1 jave, pasi kishte shfaqur simptomat e Covid-19, që i mori edhe jetën. Gjatë këtij viti, ai u nderua edhe me çmimin Grammy për arritjet gjatë karrierës.

Tim Brooke-Taylor, komediani britanik dhe ylli i serive televizive të BBC, “The Goodies”, humbi jetën në moshën 79-vjeçare pas problemeve që i shkaktoi koronavirusi. Për herë të fundit, ai u ngjit në sheshxhirim në vitin 2015.

Aktori Brian Dennehy, fitues i një çmimi Tony dhe një çmimi Golden Globe, humbi jetën më 15 prill, në moshën 81-vjeçare, jo nga Covid-19. Dennehy do të mbahet mend për rolet e tij në filmat “First Blood”, “Cocoon” apo edhe për shfaqjet televizive si “Dynasty”, “Dallas”, “Miami Vice” dhe “Just Shoot Me!”. Ai fitoi çmimin Tony për rolin e tij në filmin  ‘Death of a Salesman’. Në 2010, u nderua me emrin e tij në Murin e Fames në teatrin amerikan.

Irrfan Khan, aktori i famshëm indian për rolin e tij në filmat “Life of Pi”, “Slumdog Millionaire” dhe “Jurassic World”, u nda nga jeta në moshën 53-vjeçare në Mumbai, më 29 prill. Ai fitoi famën fillimisht në filmat indianë, por më pas arriti të hedhë hapa të suksesshëm edhe në Hollivud. Ai fitoi çmimin si aktori më i mirë mashkull i kinemasë aziatike në vitin 2014, për rolin në filmin “The Lunchbox”.

Këngëtari, kompozitori dhe anëtari i bandës “The Stranglers”, Dave Greenfield, u nda nga jeta më 3 maj, në moshën 71-vjeçare, pasi rezultoi pozitiv me Covid-19. Më herët, Dave kishte shfaqur probleme me zemrën, të cilat u rënduan nga koronavirusi.

Magjistari Roy Horn, i cili u bë i famshëm bashkë me Siegfried Fischbacher falë lojës në Las Vegas me tigrat e rrallë, humbi jetën më 8 maj, edhe ai nga koronavirusi. Horn ishte 75 vjeç. Fischbacher dhe Horn kishin lindur të dy në Gjermani, përpara se ta gjenin veten në vitin 1967 në Los Anxhelos, atje ku do të performonin për 4 dekadat e ardhshme. Horn u plagos rëndë në vitin 2003, kur një tigër i bardhë e kafshoi në skenë gjatë performancës, në ditëlindjen e tij të 59. Kaq mjaftoi që shfaqja e tyre në Las Vegas të anulohej, por çifti i magjistarëve vijoi shfaqjet në publik.

Jerry Stiller, komediani, aktori dhe autori i famshëm amerikan, për rolin e tij si babai i vrazhdë në filmat “Seinfeld” dhe “The King of Queens”, u nda nga jeta në moshën 92-vjeçare. Lajmin e publikoi i biri, aktori Ben Stiller, më 11 maj. Jerry ishte pjesë e komedisë që në fillim të viteve ’60, bashkë me të shoqen, Anne Meara. Ai ka luajtur edhe në krah të të birit, që prej viteve ’90, në filmat “Hairspray”, “Zoolander” dhe “The Heartbreak Kid”.

Beckett Cypher, i biri i Melissa Etheridge, u nda nga jeta në moshën 21-vjeçare, pas varësisë nga opioidi, një substancë e ngjashme me morfinën. Lajmin e publikoi më 14 maj, vetë këngëtarja, përmes një postimi në Twitter.

Fred Willard, aktori komik i kandiduar edhe për çmim Emmy, u nda nga jeta në moshën 86-vjeçare më 15 maj, në shtëpinë e tij në Los Anxhelos. Në 2015, ai fitoi çmimin “Emmy Daytime” për rolin e tij në telenovelën e CBS, “The Bold and the Beautiful”.

Leuçemia i mori jetën aktores dhe regjisores amerikane Lynn Shelton, në moshën 54-vjeçare. Ajo u bë e njohur si producente dhe regjisore e filmave “Humpday” dhe “Your Sister’s Sister” dhe pasi drejtoi 4 episode të serisë dramatike të Netflix, “Little Fires Everywhere”.

Muzikanti 70-vjeçar Mory Kante, që ndihmoi në lançimin e muzikës afrikane në mbarë botën, humbi jetën në shtëpinë e tij në Guinea, më 22 maj. Kante, i njohur edhe për muzikën nga instrumenti afrikano-perëndimor i korës, u bë i famshëm falë hitit të tij të viteve ’80, “Yeke Yeke”.

Autori Larry Kramer, ndër të parë që kërkoi në vitet ’80 një reagim emergjent kombëtar kundër sëmundjes së HIV/AIDS, humbi jetën më 27 maj, në moshën 84-vjeçare. Kramer, bashkëthemelues i lëvizjes “Act Up”, që e shndërroi sëmundjen e shekullit në një çështje kombëtare, vdiq nga pneumonia.

Little Richard, i vetëshpallur si arkitekti i “rock ‘n’ roll”, humbi jetën më 9 qershor, në moshën 87-vjeçare. Ai do të mbahet mend për hitet “Tutti Frutti”, “Good Golly, Miss Molly” dhe “Slippin’ and Slidin'” dhe për influencën për brezat në vijim.

Aktori i famshëm i Bollivudit, Sushant Singh Rajput, humbi jetën në moshën 34-vjeçare, në shtëpinë e tij në Mumbai. Lajmin e konfirmoi policia më 14 qershor, e cila fillisht e përshkroi vdekjen e parakohshme të aktorit si aksidentale e më pas si vetëvrasje.

Bob, macja që frymëzoi një libër dhe një film, ngordhi më 17 qershor. Ajo ishte 14 vjeç. Bob u bë i famshëm pas realizimit të filmit në Londër, ku qëndronte pa lëvizur mbi shpatull apo në këmbët e James Bouen.

Dame Vera Lynn, këngëtarja që u bë simbol i shpresës gjatë Luftës së Dytë Botërore, por edhe gjatë pandemisë koronavirus, humbi jetën më 18 qershor, në moshën 103-vjeçare. Lynn vdiq e rrethuar nga familjarët e saj dhe do të mbahet mend për këngët “The White Cliffs of Dover” dhe “We’ll Meet Again”. Forcat ajrore mbretërore nderuan këngëtaren ikonë të muzikës britanike gjatë funeralit të saj.

Aktori britanik Ian Holm, i njohur për rolin e tij në triologjinë “The Lord of the Rings” dhe “Alien” humbi jetën në moshën 88-vjeçare, pas sëmundjes së Parkinsonit. Holm e nisi karrierën e tij në skenë për kompaninë mbretërore shekspiriane dhe siguroi famë botërore si pjesë e kastit në filmin “Alien” të vitit 1979. Falë rolit të tij si trajner atletike në filmin “Chariots of Fire”, ai fitoi një çmim BAFTA dhe një çmim Oscar, si aktori më i mirë joprotagonist.

Joel Schumacher, regjisori ikonik i filmave të viteve ’80, “The Lost Boys”, “St. Elmo’s Fire” dhe dy prodhimeve të “Batman”, humbi jetën në moshën 80-vjeçare në Nju Jork, pas një betejë të gjatë me kancerin. Schumacher e nisi karrierën e tij si një stilist, në prodhimet e Woody Allen. Në vitet ’90, ai ishte regjisori i filmit “Flatliners”, me protagoniste Julia Roberts dhe “Falling Down” me Michael Douglas, përpara se të punonte me 2 filma të Batman, “Batman Forever” me Val Kilmer dhe “Batman & Robin” me George Clooney, Alicia Silverstone, Chris O’Donnell dhe Arnold Schwarzenegger. Puna e fundit e Schumacher ishte me prodhimin e Netflix, “House of Cards” në 2013. Ai ka punuar po ashtu me prodhimin e videove muzikore për INXS, Lenny Kravitz dhe Seal.

Shkaku i vdekjes së producentit Steve Bing u konfirmua nga policia e Los Anxhelos si vetëvrasje, e kryer më 23 qershor. Producenti amerikan, miliarderi, tekstshkruesi dhe filantropisti, humbi jetën pas një traume të shumëfishtë, që e çoi drejt vetëvrasjes. Bing njihej edhe si ish-bashkëshorti i aktores britanike Elizabeth Hurley, me të cilin ka një djalë, 18-vjeçarin Damian Hurley.

Carl Reiner, shkrimtar i komedive amerikane, krijues dhe skenarist e yll i shfaqjes “The Dick Van Dyke Show”, humbi jetën në moshën 98-vjeçare, për shkaqe natyrore, në shtëpinë e tij në Beverly Hills. Reiner pati një karrierë të gjatë e të pasur për plot 7 dekada, nga teatri në kinema, në filma e televizion, me bashkëpunime tejet të suksesshme. Vitet ’90 e gjetën të angazhuar në realizimin e dokumentarëve.

Më 6 korrik, bota u shokua nga lajmi i ndarjes nga jeta në moshën 91-vjeçare, të kompozitorit të famshëm italian, fitues i çmimit Oscar, Ennio Morricone. Para se të vdiste, ai ishte shtruar në spital pas një incidenti që kishte pësuar. Vetë Morricone kishte shkruar një letër, që avokati i tij e lexoi jashtë spitalit: “Unë, Ennio Morricone, kam vdekur”, ndërsa kërkonte një funeral privat, për të mos shqetësuar askënd në këtë periudhë pandemie.

Një trup i pajetë, i gjetur në liqenin e Kalifornisë, më 13 korrik, u konfirmua se ishte trupi i aktores së famshme të “Glee”, Naya Rivera, e cila rezultonte e zhdukur që prej 8 korrikut. Ajo kishte marrë me qira një varkë në liqenin Piru, bashkë me djalin 4-vjeçar, Josey, i cili u gjet i palënduar. Djali i saj, i zbuluar vetëm dhe në gjumë, i tha autoriteteve se ai dhe e ëma kishin shkuar për t’u larë në liqen, një rezervuar artificial, 80 km në veri të Los Anxhelosit.

E kanë njohur shumë pak në botën e muzikës, por Benjamin Keough, nip i të ndjerit Elvis Presley, djali i vajzës së tij të vetme Lisa Marie, humbi jetën më 12 korrik, në moshën 27-vjeçare. Keough ishte më i vogli mes dy fëmijëve të Lisa Marie dhe bashkëshortit të saj të parë, muzikantit Danny Keogh, përpara divorcit të tyre në 1994.

Aktorja amerikane Kelly Preston, e cila u bë e famshme falë rolit të saj në filmat “Jerry Maguire” dhe “Twins”, u nda nga jeta në moshën 57-vjeçare, pas një beteje 2-vjeçare me kancerin e gjirit. Lajmin e publikoi në Instagram më 12 korrik, bashkëshorti i saj, aktori John Travolta. Lindur në Honolulu, Kelli Smith e ndërroi emrin e saj në Kelly Preston, përpara se të siguronte rolin e saj të parë në filmin “Mischief”, në vitin 1985, i cili i siguroi më pas pjesëmarrjen edhe në komedinë për adoleshentë, “Secret Admirer”. Travolta, ylli i filmave muzikorë “Saturday Night Fever” dhe “Grease,” u takua me Preston në vitin 1988, kur luajtën në krah të njëri-tjetrit në filmin me titullin “The Expert”.

Kitaristi i bandës muzikore “Fleetwood Mac”, Peter Green humbi jetën në gjumë, në moshën 73-vjeçare, më 25 korrik. Green ishte i pari që ideoi krijimin e grupit të muzikës rock në vitin 1967, me bateristin Mick Fleetwood, kitaristin Jeremy Spencer dhe basistin John McVie. I vlerësuar si një nga kitaristët më të mëdhenj të të gjitha kohërave, Green ishte edhe tekstshkrues, për disa nga këngët klasike të “Fleetwood Mac”, që u shndërruan në hite si “Albatross”, “Black Magic Woman” dhe “Oh Well”.

Regis Philbin, një nga fytyrat më të dashura të ekranit, si njeriu energjik dhe i humorit, në shfaqjet e humorit dhe lojërave të ndryshme televizive, që mbërtheu pas ekranit më shumë njerëz se kushdo tjetër në historinë e televizionit amerikan, humbi jetën në moshën 88-vjeçare për shkaqe natyrale, më 25 korrik, një muaj larg ditëlindjes së 89. Philbin, i njohur për fansat si “Reeg”, fitoi çmimin “Daytime Emmy” si drejtues i një talk-show dhe një tjetër çmim Emmy për drejtimin e shfaqjes “Kush do të bëhet milioner”. Në 2008 u nderua edhe me çmimin e arritjes në karrierë.

Ylli i filmit “Gone With the Wind”, Olivia de Havilland, e konsideruar si aktorja e fundit e mbijetuar e “Epokës së Artë të Hollivudit”, humbi jetën më 26 korrik, në moshën 104-vjeçare. Ajo ndërroi jetë për shkaqe natyrore, në shtëpinë e saj në Paris, atje ku kaloi më shumë se 60 vjet. Gjatë karrierës së saj, De Havilland fitoi 2 çmime Oscar.

Producenti britanik, Alan Parker, regjisor i disa filmave të suksesshëm, mes tyre komedisë për fëmijë “Bugsy Malone” apo dramës “Midnight Express”, humbi jetën më 31 korrik, në moshën 76-vjeçare. Parker, i cili ka drejtuar po ashtu filmat “Fame”, “Mississippi Burning”, “Evita”, “The Commitments” dhe shumë filma të tjerë, humbi jetën pas një sëmundje që e mundoi gjatë. Ai ishte po ashtu regjisor i filmit “Pink Floyd – The Wall”, i frymëzuar nga grupi i muzikës rock dhe suksesit të tij.

Drejtuesi i “Viacom” dhe “CBS”, Sumner Redstone, manjati i medias që arriti të shndërrojë një depo të vjetër në një perandori, mes tyre Paramount Pictures, CBS dhe MTV, humbi jetën në moshën 97-vjeçare, më 12 gusht. Ende i panjohur mirë në kinematografi apo botën e biznesit, shumë pranë të gjashtëdhjetave, Redstone bleu në 1987 kompaninë Viacom për 3,4 miliardë dollarë, me shumicën e parave të marra borxh. Vite më vonë, arriti të blejë kompaninë “Paramount” për më shumë se 10 miliardë dollarë dhe shtoi në portofolin e tij edhe rrjetin mediatik CBS, për 37 miliardë dollarë.

Aktori Chadwick Boseman, shumë i njohur për rolin e tij në filmin me superheronj “Black Panther”, realizuar nga Marvel, humbi jetën në moshën 43-vjeçare, pas një lufte 4-vjeçare me kancerin. Gjatë karrierës së tij në ekran, Boseman luajti një sërë karakteresh të famshme, duke thyer barrierat racore në SHBA, përfshirë këtu edhe rolin e këngëtarit të muzikës soul James Brown në filmin “Get on Up” apo gjykatësit të lartë Thurgood Marshall në filmin “Marshall” apo pionerit të bejzbollit, Jackie Robinson, në filmin “42”.

Regjisori çek me shumë influencë, Jiri Menzel, që siguroi një çmim Oscar me filmin e vitit 1966, “Closely Watched Trains”, si filmi më i mirë në gjuhë të huaj, humbi jetën më 5 shtator, në moshën 82-vjeçare. Lajmin e ndau përmes Facebook bashkëshortja e tij Olga Menzelova. Menzel ishte pjesë e asaj çka u cilësua si regjisorët e producentët e valës së re të prodhimit në Çeki në vitet ’60.

Ronald Bell, një nga bashkëthemeluesit e “Kool & The Gang” dhe tekstshkrues i disa prej hiteve të tyre më të famshme, përfshirë “Celebration” dhe “Jungle Boogie”, ndërroi jetë në moshën 68-vjeçare, më 9 shtator. Grupi fitoi famë botërore në vitin 1980, me hitin “Celebration”, duke u klasifikuar në vend të parë.

Aktorja britanike Diana Rigg, e cila u bë e famshme falë shfaqjes televizive të viteve ’60, “The Avengers”, e shfaqur së fundmi edhe në filmin “Game of Thrones”, vdiq më 10 shtator në moshën 82-vjeçare. Rigg kishte një karrierë të gjatë në teatër dhe kinema, pasi u shfaq fillimisht në filmin me agjentin britanik james Bond, “On Her Majesty’s Secret Service”, ku ajo martohet me spiunin britanik.

Stilisti Terence Conran, që krijoi revolucionarizimin e dekorit britanik, humbi jetën në moshën 88-vjeçare, më 12 shtator. I njohur si iniciator i “Habitat”, kompania që furnizonte dyqanet me mobilje të fabrikuara me ngjyra, për shtëpi e kuzhina, ai u bë një nga personazhet më të famshme e të vlerësuara në Britani, falë edhe bizneseve të tij “Mothercare” dhe “British Home Stores”.

Armiku i James Bond, Michael Lonsdale, ndërroi jetë në shtëpinë e tij në Paris, në moshën 89-vjeçare, më 21 shtator. Aktori francez luajti rolin e Hugo Drax në filmin e James Bond të vitit 1979, “Moonraker”. Falë rolit të detektivit në thrillerin “The Day of the Jackal” të vitit 1974, Lonsdale fitoi çmimin BAFTA si aktori më i mirë mashkull.

Këngëtarja Helen Reddy, kënga e së cilës “I Am Woman” e vitit 1972 u shndërrua në një himn të lëvizjes globale feministe, humbi jetën në Los Anxhelos në moshën 78-vjecare, më 29 shtator. Kënga e saj mbeti për vite të tëra në vend të parë, bashkë edhe me sukseset e tjera si “Delta Dawn,” “Angie Baby” dhe “Ain’t No Way to Treat a Lady”. Po ashtu, Reddy drejtoi për vite edhe shfaqjen e saj në TV, “The Helen Reddy Show”, përveç shfaqjes në prodhimet e Hollivudit. Ajo u diagnostikua me probleme mendore në vitin 2015.

Stilisti japonez, Kenzo Takada, i njohur botërisht si Kenzo, humbi jetën më 4 tetor, për shkak të koronavirusit. Në moshën 81-vjeçare, Takada ishte shtruar në spitalin amerikan në Paris. Në vitet ’70, Kenzo themeloi shtëpinë e modës që mbante emrin e tij.

Eddie Van Halen, një nga kitaristët më të famshëm të muzikës rock dhe themelues i një prej bandave më të famshme që mban emrin e tij, humbi jetën nga kanceri më 6 tetor. Ai ishte 65 vjeç. Virtuoziteti dhe teknika që ai përdorte, e bënë që të ishte më i pëlqyeri dhe i përzgjedhuri për të luajtur me Jimi Hendrix, Eric Clapton apo “Led Zeppelin”. Në vitin 2012, sipas një snodazhi, Van Halen u përzgjodh si kitaristi më i mirë i të gjitha kohërave.

Conchata Ferrell u bë e njohur për publikun me rolin e saj në komedinë televizive “Two and a Half Men”. Ajo u nda nga jeta më 12 tetor në Kaliforni, në moshën 77-vjeçare, pas komplikacioneve nga një atak në zemër. Kolegu i saj në serial, aktori Charlie Sheen, e cilësoi ndarjen e saj nga jeta një humbje të jashtëzakonshme. Roli i saj i parë i famshëm ishte ai në filmin e vitit 1988, “The Mystic Pizza”, ku luajti në krah të aktores Julia Roberts.

Spencer Davis, figurë kyçe e skenës së viteve ’60, humbi jetën më 19 tetor, në moshën 81-vjeçare. Ai ishte themelues i bandës muzikore “The Spencer Davis Group” në vitin 1963 dhe kitarist e vokalist që prodhoi hitet “Somebody Help Me”, “Gimme Some Lovin'” dhe “I’m a Man”.

Legjenda e filmave, i vlerësuar si një nga meshkujt më seksi dhe të sofistikuar britanikë, por edhe të mbarë Hollivudit, kryesisht pas rolit si agjenti sekret James Bond, Sean Connery, ndërroi jetë në moshën 90-vjeçare, më 31 tetor. Connery ishte një nga meshkujt më të dashur të ekranit të kinemasë për më shumë se 4 dekada. Agjenti 007 u bë i pavdekshëm nën portretizimin e Sean, i cili luajit në 7 filma të James Bond, duke nisur me “Dr. No” në 1962, për të përfunduar me “Never Say Never Again”, në 1983. I gjatë, me një portret fisnik dhe një zë të jashtëzakonshëm, Connery rrëmbeu menjëherë vëmëndjen, falë edhe personalitetit të tij tipik skocez, i ftohtë dhe i ashpër, duke luajtur role të njëpasnjëshme në filma, duke rrëmbyer në 1988 edhe një çmim Oscar për rolin e një polici të ashpër të Çikagos, në filmin “The Untouchables”.

Ish-anëtari i bandës muzikore britanike “Uriah Heep”, Ken Hensley, humbi jetën më 4 nëntor, në moshën 75-vjeçare pas një sëmundjeje të gjatë. Ai shkroi disa nga hitet e grupit në vitet ’70, përfshirë këtu “Lady in Black”, “Easy Livin'”, “July Morning” dhe “Look At Yourself”

Më 8 nëntor, familja njoftoi ndarjen nga jeta të drejtuesit të famshëm të shfaqjes televizive “Jeopardy”, Alex Trebek, në moshën 80-vjeçare. Trebek ishte një nga personalitetet më të famshme të televizionit amerikan. Që në mars të 2019, ai njoftoi se ishte diagnostikuar me kancer në pankreas, që një vit më vonë i mori jetën.

David Prowse, aktori anglez që luajti rolin e Darth Vader në filmat origjinalë “Star Wars”, humbi jetën në moshën 85-vjeçare, më 29 nëntor. Kampioni i peshëngritjes u shndërrua më pas në aktor, falë trupit të tij. Prowse u nderua nga Mbretëresha Elizabetë në vitin 2000 për shërbimin e tij për bamirësi dhe fushatën për rrugë të sigurta.