25 prilli, dita për ndryshim apo vazhdimësi?

Mes këmbënguljes së Lulzim Bashës për të realizuar rotacionin politik dhe Edi Ramës për të bindur për një mandat të tretë, viti politik 2021 do të shënohet nga beteja pranverore që kulmon me zgjedhjet e 25 prillit.

Afatet po ngushtohen, teksa afër 100 ditëve para zgjedhjeve, strategjitë elektorale po diktohen në një farë mase nga pandemia, me shpresën se fillimi i vaksinimit do të krijojë kthimin deri diku të toneve tradicionale të fushatës zgjedhore, të paktën në muajin zyrtar të saj.

Deri në mes të shkurtit, partitë politike kanë afat për t’u regjistruar në zgjedhje, ky është edhe afati i fundit për ndarjen e koalicioneve, pas ndryshimit të modelit të tij. Socialistët me vetëm një aleat, socialdemokratin Tom Doshi, e kanë më të thjeshtë se kampi opozitar ku Partia Demokratike, rreshton krah vetes një numër të madh aleatësh, nga LSI, republikanët, demokristianët, çamët, agraroambientalistët dhe PBDNJ e Vangjel Dules. 

Deri në mesin e muajit shkurt, koalicioni opozitar duhet të vendosë nëse në komisionin qendror të zgjedhjeve do të regjistrohet vetëm Partia Demokratike, apo do të regjistrohet edhe LSI dhe aleatët e tjerë do të grupohen tek listat e këtyre dy partive. 

7 marsi është afati i fundit i dorëzimit të listës së kandidatëve për deputet; moment kur bëhen publike edhe ekipet e plota me të cilat partitë do të garojnë në 25 prill.

 Për herë të parë që prej vendosjes së sistemit proporcional rajonal, qytetarët kanë të drejtë që përveç partisë, të votojnë për kandidatin e preferuar, edhe pse duhen rreth 10 mijë vota që një kandidat të përmbysë renditjen e partisë e të bëhet deputet. 

Kjo nuk krijon rivalitet vetëm mes kundërshtarëve, por ngjall betejë për vota edhe mes kandidatëve të së njëjtës listë. Ndërsa socialistët prej shtatorit janë në fushatë më drejtuesit politik të qarqeve, demokratët që patën një proces propozimesh nga baza, tani sapo kanë nisur shpalljen e drejtuesve të fushatës në qarqe.

Shqiptarët, BE dhe SHBA kërkojnë zgjedhje të lira e të ndershme. Sa do të ndikojnë në këto votime, përdorimi i teknologjisë në zgjedhje duke përdorur shenjat e gishtërinjve, dhe a do të realizohet dot vota e emigrantëve, janë pyetje të reja për zgjedhjet shqiptare, për të cilat përgjigjen e jep 25 prilli.