Greqia mbyll bizneset jo të domosdoshme dhe kishat, rikthen orën policore

Qeveria greke ka vendosur që, duke nisur nga ora 6:00 e mëngjesit të së dielës, e deri në të njëjtën orë të datës 11 janar, në vend të zbatohen masa edhe më të forta shtrënguese, për të frenuar përhapjen e koronavirusit.

Në një njoftim zyrtar, qeveria greke tha se rikthehet ora policore nga ora 21:00 deri në 5:00 të mëngjesit, ndërsa të gjitha llojet e bizneseve jo jetike do të mbyllen, përfshi këtu edhe shërbimet fetare, si dhe libraritë, sallonet estetike, dhe aktivitete në natyrë, si gjuetia dhe peshkimi.

Të mbyllura do të qëndrojnë për këtë javë edhe kishat, duke bërë që festa e Ujit të Bekuar, me 6 janar, të mos kremtohet si çdo vit tjetër në objektet e kultit. Qeveria tha se këto masa janë bërë për të ulur nivelin e përhapjes së Covid-19, me qëllim që në 11 janar të rihapen shkollat.

Në 1 janar, autoritetet shëndetësore në Greqi raportuan 597 raste të reja të konfirmuara me koronavirus, si dhe 43 viktima. Në të gjithë spitalet e vendit raportohet se 429 persona janë në intubim.

Në total, që prej nisjes së pandemisë në shkurt 2020, janë konfirmuar në koronavirus në Greqi 139 447 raste, ndërsa 4881 persona kanë humbur jetën.