Humb betejën me koronavirusin biologu Besnik Hallaçi, zbuloi “Tulipanin Shqiptar”

WhatsApp Image 2021 01 02 at 10.16.20 600x338

Covid-19 i ka marrë jetën në moshën 64-vjeçare, Drejtorit të Administratës së Zonave të Mbrojtura të Qarkut Kukës, Besnik Hallaçi, biolog dhe ambientalist i njohur në rang kombëtar dhe ndërkombëtar dhe zbulues i “Tulipanit Shqiptar” ndryshe “Tulipani i Kukësit”.

Ai prej dy javësh ishte i shtruar në spitalin “Shefqet Ndroqi” aty ku dhe po merrte trajtim të specializuar për koronavirusin. Lajmin e kanë bërë me dije miqtë e tij në mediat sociale.

“Lajm i trishtë për humbjen e jetës së biologut pasionant e drejtuesit model në rrethin e Kukësit, ngushëllime familjes, të afërmeve , shokëve e miqve të tij. Lamtumirë Besnik Hallaçi , paç dheun e lehtë”, u shpreh në rrjetet sociale prefekti i Kukësit, Zenel Kuçana.

Edhe kryetari i Bashkisë, Safet Gjici, shprehu ngushëllime për humbjen e biologut. “Me dhimbje të thellë dhe hidhërim të madh mësova lajmin e hidhur të ndarjes nga jeta në mënyrë të papritur nga kjo pandemi famëkeqe të biologut të njohur kuksian Besnik Hallaçi. Më lejoni që në këto  momente të dhimbshme t’i shpreh familjes, të afërmve të tij ngushëllimet më të sinqerta, në emrin tim personal  dhe  të qytetarëve kuksian. U prehsh në paqe!”, shkroi në Facebook kryebashkiaku i Kukësit.