Ndryshimet në qeveri, Kuvendi mblidhet në seancë të jashtëzakonshme më 4 janar

debati 1100x620

Seanca e parë e vitit 2021 e Parlamentit ishte parashikuar të mbahej më 18 janar, por ndryshimet në qeveri kanë bërë që të hënën, më 4 janar, Kuvendi të mblidhet në një seancë të jashtëzakonshme, për të miratuar dekretet e presidentit Meta për shkarkimet dhe emërimet e ministrave të rinj.

Ishte kryeministri Rama i cili, përmes një letre drejtuar kreut të Kuvendit, Gramoz Ruçi, kërkoi që kjo seancë e jashtëzakonshme të mbahej në ditët e para të vitit. Kërkesa u pranua nga Ruçi, i cili ka thërritur seancën e jashtëzakonshme, për në orën 17:00, ku do të miratohen edhe ndryshimet e fundit në qeveri.

Kjo seancë e jashtëzakonshme kushtëzohet nga neni 98 i Kushtetutës, i cili parashikon se dekretet e presidentit për shkarkim dhe emërim ministrash votohen nga Kuvendi brenda 10 ditëve. Në 31 dhjetor kreu i shtetit firmosi kërkesën e kryeministrit Edi Rama për kalimin e Olta Xhaçkës nga Ministre e Mbrojtjes, në ministre për Europën dhe Punët e Jashtme dhe riktheu Niko Peleshin si drejtues të dikasterit të mbrojtjes.