Taksat dhe pagat, ekspertët: Ndryshime elektorale, duhen politika afatgjata

Për ekspertët e ekonomisë, Adrian Civici dhe Selami Xhepa, ndryshimet e fundit në heqje taksash dhe rritje pagash janë tërësisht elektorale. Në këto kushte, ato rrezikojnë shëndetin e financave publike, ndaj është e nevojshme të përgatitet një plan politikash afatgjata, që nuk preket nga ciklet zgjedhore.

“Deri sa të realizohen zgjedhjet, nuk duhet të ndodhin vendime të tilla, thjesht elektorale, sepse ato mund të krijojnë një situatë pozitive nga e cila mund të përfitosh elektoralisht në këto momente, por shkaktojnë shumë probleme në periudhën afatmesme dhe afatgjatë, kur nuk merren si vendime me cilësinë e duhur”, thotë Civici për A2.

“Duket që nga pikëpamja e politikave publike, po sillemi si një qasje elektorale, sepse po të shikojmë rritjen e pagave, është një rritje jashtëzakonisht e fortë, e premtuar prej kohësh dhe të realizuar në vit elektoral. Kemi mbështetjen për bujqësinë, kemi përjashtime nga taksat për segmente të gjera të biznesit”, thotë Xhepa. “Ajo që mendoj do të jetë që, pas përfundimit të procesit zgjedhor, do të marrim në konsideratë politikat publike për të ndërtuar politika afatgjata dhe jo bazuar në ciklet elektorale”.

Xhepa shtoi se shpreson që, për shkak të fushatës elektorale, të mos ketë ndonjë shthurje të disiplinës fiskale e tatimore, në mënyrë që të mos rrezikohen akoma më shumë ekuilibrat. “Sepse niveli i deficitit fiskal për vitin e ardhshëm, i planifikuar tashmë në buxhetin e 2021, është realisht shumë i lartë. Çka do të thotë që nëse ne nuk i realizojmë të ardhurat, mundësitë për rritje të mëtejshme të borxhit publik janë zero”, thotë Xhepa.