Tarifat e propozuara nga KLGJ, pagesë shtesë kush zvarrit gjyqin, ulet “çmimi” i divorcit

Këshilli i Lartë Gjyqësor ka vendosur të propozojë llojet dhe masat e tarifave financiare që duhet të paguajnë qytetarët a institucionet që “trokasin” në dyert e gjykatës për padi apo shërbime të tjera gjyqësore.

Në vendimin e KLGJ, specifikohen tarifat gjyqësore, të ndara në tre kategori kryesore, ku vërehen edhe tarifa të reja, të pazbatuara më herët. Të tilla janë tarifat gjyqësore shtesë, që do t’i ngarkohen palëve që abuzojnë duke zvarritur gjykimin për shkaqe të paarsyeshme.

Në këto raste, KLGJ ka propozuar 5 mijë lekë taksë kur gjykimet janë në Shkallën e Parë, 10 mijë në Apel dhe 15 mijë lekë në Gjykatën e Lartë. Tarifë është propozuar edhe për rastet e kërkesave për përjashtim gjyqtari nga çështja, që deri tani ishin pa pagesë.

Në shkallën e Parë, kjo kërkesë do të tarifohet me 1500 lekë, ndërsa në gjykatat e Apelit dhe Gjykatën e Lartë me 2500 lekë. Ndërkohë, KLGJ ka propozuar përgjysmim të çmimit që duhet të paguajnë qytetarët për disa lloje padish, mes të cilave edhe ato për divorc bashkëshortor.

Nga 3000 lekë që kushton aktualisht, KLGJ propozon një tarifë 1500 lekë. Në propozim KLGJ ka specifikuar mënyrën si do të mblidhen dhe paguhen taksat gjyqësore, ndërsa thekson se prej tyre do të përjashtohen palët që më herët kanë kërkuar ndihmë juridike falas nga shteti. Sipas ligjit, tarifat gjyqësore përfundimtare caktohen menjë udhëzim për përbashkët të Ministrisë së Drejtësisë dhe asaj të financave, bazuar në propozimin e KLGJ.