1 vit Covid-19… Çfarë dimë dhe nuk dimë ende për koronavirusin?

1 vit Covid 19 Çfarë nuk dimë ende për koronavirusin 1100x620

Kur Kina raportoi për herë të parë rastet me koronavirus, tek Organizata Botërore e Shëndetësisë, më 31 dhjetor 2019, i përshkroi si një variant i ri misterioz pneumonie. Nuk kishte as emër. Brenda dy javësh, shkencëtarët kinezë kishin identifikuar sekuencën gjenetike të virusit, kodin gjenetik që e përbën atë. Brenda tri javësh, kitet e para të testeve ishin krijuar dhe ndarë me OBSH-në.

11 muaj pas rasteve të para të raportuara, u vaksinuan edhe njerëzit e parë, duke e bërë vaksinën anti-Covid-19 më të shpejtën të prodhuar ndonjëherë në historinë e njerëzimit.

Koronavirusi, mars 2020

Deri tani, kemi arritur të mësojmë shumë për këtë sëmundje. Por, një vit më pas, kur janë infektuar më shumë se 81 milionë persona dhe rreth 1,7 milionë prej tyre kanë humbur jetën, ka ende shumë gjëra që nuk i dimë për Covid-19.

Pyetjet e ngritura janë shumë. Nga më e thjeshta: Si nisi virusi? E deri te më të ndërlikuarat: Kur do të përfundojë pandemia?

“Kemi mësuar tmerrësisht shumë, por nëse flasim për ta kuptuar këtë virus në detaje, mund të them se kemi ende shumë rrugë për të bërë”, thotë Maureen Ferran, profesore e asociuar e biologjisë në Institutin e Teknologjisë “Rochester”. “Virologët dhe zyrtarët e shëndetit publik do të kenë punë për dekada me radhë”.

Origjina e koronavirusit

Ndërsa qeveritë vrapuan të gjenin një vaksinë për virusin, një prej pyetjeve më bazike që bënte publiku ishte: Kush është origjina e tij?

Origjina, në fakt, ka qenë burim konfuzioni dhe konspiracionesh. Fillimisht, u duk se koronavirusi u lidh me qytetin Wuhan në Kinë, në një treg ku shiteshin kafshë të gjallë. Por, një studim i publikuar në janar në revistën “Lancet” zbuloi se 30% e pacientëve fillestarë nuk kishin lidhje të drejtpërdrejtë me tregun.

Të tjerë, përfshi edhe presidenti amerikan, Donald Trump, ngritën dyshime se virusi ishte lëshuar pasi ishte studiuar, ose krijuar, në një laborator në Wuhan. Shkencëtarët thonë se ka dëshmi të pakundërshtueshme që koronavirusi e ka origjinën në natyrë, dhe thonë se viruset më të afërta që kanë lidhje me të dhe njihen nga njeriu, janë shumë të ndryshëm gjenetikisht dhe nuk mund të kenë shkaktuar nisjen e epidemisë.

Studime të tjera kanë zbuluar prova që virusi mund të ketë qarkulluar në SHBA dhe Europë në dhjetor 2019, disa muaj para seç u mendua fillimisht. Media shtetërore kineze këmbëngul se origjina e tij ka qenë jashtë Kinës.

Por, Peter Collignon, profesor i mikrobiologjisë në Universitetin Kombëtar të Australisë, thotë që, pavarësisht se virusi ka qarkulluar në SHBA dhe Europë para raportimit zyrtar të rasteve të para, nuk ka dëshmi të mjaftueshme që të vërtetojnë se origjina e tij ka qenë jashtë Kinës.

Organizata Botërore e Shëndetësisë, që po heton mbi origjinën e virusit, do të kontrollojë nëse Covid-19 ka qarkulluar në Kinë para se të diktoheshin rastet e para, në dhjetor 2019.

Por, përpos bollëkut të teorive konspirative, ka disa gjëra për të cilat shumica e shkencëtarëve bien dakord. Covid-19 është një koronavirus, një lloj virusi përgjegjës për disa sëmundje, që nga gripi i zakonshëm, deri te SARS. Është virus zoonotik, që do të thotë se e ka origjinën nga një kafshë. Disa studime tregojnë se lakuriqët e natës mund të jenë bartësit, pasi ata mbajnë disa koronaviruse të tjera. Shumica e shkencëtarëve mendojnë ende se virusi u transferua nga kafsha te njeriu në Kinë, ku edhe u identifikuan rastet e para.

Por, ende nuk e dimë ku ndodhi kalimi i virusit te njeriu dhe nëse është transferuar përmes ndonjë kafshe tjetër. Këtë, mund edhe të mos e dimë kurrë. Profesori Ferran sjell në vëmendje faktin që, edhe pse ka më shumë se 40 vite që Ebola është zbuluar, shkencëtarët nuk kanë qenë në gjendje të kuptojnë se nga cila kafshë ka ardhur.

Pse prek më shumë disa persona?

Kur Covid-19 u zbulua për herë të parë, u pa si sëmundje respiratore. Por, me kalimin e muajve, disa simptoma dhe ndërlikime të sëmundjes kanë dalë në pah. Shumë njerëz humbin nuhatjen. Disa kanë të vjella, ose diarre. Disa kanë shfaqur edhe simptoma më të rënda, si dëmtime në tru.

Dimë edhe që, edhe ata që janë shëruar nga Covid-19, mund të përjetojnë pasoja afatgjata, si ankthi, dëmtim në tru dhe lodhje kronike. Një studim në “British Medical Journal”, botuar gushtin e kaluar, zbuloi se rreth 10% e pacientëve kanë pasoja që zgjasin deri në 12 javë. Por, shkencëtarët nuk kanë arritur të gjejnë një shpjegim të saktë, pse disa persona vuajnë më shumë se të tjerët.

Si përhapet koronavirusi?

Në janar, Kina konfirmoi se virusi mund të transmetohej mes njerëzve. Por, një vit më pas, ka ende debate si ndodh kjo, saktësisht.

Shkencëtarët thonë se mënyra kryesore është përmes stërkalave që dalin në ajër kur dikush kollitet apo teshtin. Këto stërkala bien në tokë pasi kanë “udhëtuar” në ajër për 1 ose 2 metra. Prandaj, maskat mund të ndihmojnë në parandalimin e përhapjes.

Por, ka edhe disa shkencëtarë të tjerë që thonë se virusi përhapet edhe përmes ajrit, me disa grimca shumë më të vogla që qëndrojnë në ajër për disa orë dhe udhëtojnë në distanca më të gjata. Nëse kjo konfirmohet, atëherë maskat e leckës nuk mbrojnë, thotë Collignon. Ai nuk e hedh poshtë këtë teori, por thotë se shumica e rasteve janë infektuar përmes stërkalave.

Nga ana tjetër, ka ende paqartësi sa doza të koronavirusit duhet dikush të marrë, që të infektohet. Fëmijët janë kryesisht asimptomatikë, por nuk ka ende një përgjigje përfundimtare sesa ndikojnë ata në përhapjen e virusit. Të gjitha këto pyetje janë të rëndësishme sepse kanë rëndësi për politikat që duhet të miratojnë shtetet për të frenuar pandeminë, siç është mbyllja e shkollave.

Sa zgjat imuniteti?

Në gusht, kërkuesit e Universitetit të Hong Kongut thanë se një 33-vjeçar ishte riinfektuar me Covid-19, 4 muaj e gjysmë pasi ishte infektuar për herë të parë. Kjo u duk se konfirmoi atë që shumë studiues kishin frikë, që ishte e mundshme të infektoheshe më shumë se një herë. Por lajmi i mirë, sipas Collignon, është se, pavarësisht se disa persona mund të riifektohen, rasti është aq i rrallë, saqë futet në librat e mjekësisë. Rreth 99% e njerëzve të infektuar duket se nuk infektohen përsëri për të paktën gjashtë muaj pasi janë infektuar për herë të parë, thotë Collignon.

Por, pyetja e madhe është, sa zgjat imuniteti ndaj virusit? Shkencëtarët nuk kanë ende një përgjigje për këtë, sepse virusi ka pak kohë që bashkëjeton me ne. E njëjta gjë vlen edhe për vaksinën, nuk e dimë sa zgjat imuniteti i fituar prej saj. Shkencëtarët e morën si të mirëqenë që vaksina do të ofronte një lloj imuniteti për disa vite, thotë Collignon. “Por fakti është që nuk e dimë ende këtë”.

Për momentin, duket se vaksinat e koronavirusit janë më efektive sesa ato të gripit, që duhen marrë çdo vit. Shkencëtarët janë optimistë për vaksinën dhe mendojnë se ka pak gjasa që ajo të ketë efekte anësore afatgjata. “Mendoj se ka më shumë rrezik nga virusi sesa nga vaksina”.

Por, kjo nuk do të thotë se nuk ka ende pikëpyetje rreth vaksinës, përtej imunitetit të saj. Nuk e dimë nëse virusi do të pësojë mutacion aq sa për ta bërë jo efikase vaksinën. Ferran thotë se sa më shumë të zgjasë periudha e vaksinimit të popullsisë, aq më shumë mundësi ka që virusi të pësojë mutacion. Disa nga vaksinat e reja përdorin një teknologji të re të quajtur “mRNA” – molekula të acidit ribonukleik – çka ngre dyshime mbi afatin e efikasitetit të këtyre vaksinave.

Kur do të mbarojë pandemia?

Shumë vetë i kanë varur shpresat te vaksina, por as ajo nuk e zgjidh shpejt këtë problem. Më shumë mundësi do të duhen vite për të vaksinuar shumicën e popullsisë botërore, diçka e domosdoshme për të frenuar përhapjen – dhe sondazhet tregojnë se një numër njerëzish nuk duan të vaksinohen. Por, edhe nëse ata pranojnë, nuk zgjidh shumë punë. “Mendoj se vaksinat janë rruga e duhur. Megjithatë, njerëzit mendojnë se ajo do të japë efekt 100%, diçka që nuk e bën asnjë vaksinë”, thotë Collignon.

Nga ana tjetër, edhe nëse një person vaksinohet, nuk dihet ende nëse ai infektohet apo jo, dhe nëse ia transmeton virusin dikujt tjetër, edhe pa u sëmurë vetë.

Ka gjasa që, edhe pasi të ketë përfunduar vaksinimi në masë, do të na duhet të bashkëjetojmë me virusin. Në fund të fundit, vetëm një virus në historinë e njerëzimit është mundur të zhduket plotësisht përmes vaksinimit, ai i lisë.