
Ka vijuar në distancë, përmes rrjeteve sociale, debati mes kryeministrit Rama dhe presidentit Meta për bllokimin e projektit të “Lungomares”.
Pas komunikatës së Presidencës, se presidenti nuk do lejojë shpërdorimin e fondeve për arsye elektorale, erdhi dhe reagimi i Edi Ramës.
Kreu i qeverisë i konsideron qesharake reagimet e Metës, i cili sipas tij mban prej muajsh të bllokuar një autorizim formal për marrjen e financimit për vijimin e këtij projekti në Vlorë.
“Projekti gati, financimi gati, por ndërhyrja transformuese përgjatë segmentit Vlorë-Orikum dhe banorët, sipërmarrësit, turistët e asaj zone duhet të presin Ilir Metën! Kam pritur me durim e do presim edhe pak që Ilir Meta të lexojë sqarimet që i kemi nisur, para se të flasim me Vlorën!
Ilir Meta thotë se realizimi i një projekti të hartuar prej kohësh për infrastrukturën turistike të Vlorës qenka “qëllim selektiv elektoral”, prandaj ai e mbaka bllokuar prej muajsh autorizimin formal për marrjen e financimit të siguruar nga Fondi Saudit! Të qash e të qeshësh”, shkruan Rama në Twitter.