Britania e Madhe nis sot vaksinën Oxford-AstraZeneca, mbi 500 mijë doza në dispozicion

Britania e Madhe do të nisë sot vaksinimin me dozat e para të Oxford-AstraZeneca, duke  përshpejtuar programin e saj të vaksinave për të trajtuar rastet në rritje të koronavirusit.

Rreth 530 000 doza do të jenë në dispozicion, fillimisht në gjashtë spitale Oxford, Sussex, Lancashire, Warwickshire dhe dy në Londër.

Sekretari i shëndetësisë e përshkroi atë si një “moment kryesor” në luftën e Mbretërisë së Bashkuar kundër virusit, pasi vaksinat do të ndihmojnë në frenimin e infeksioneve dhe do të lejojnë heqjen e kufizimeve.

Por, kryeministri ka paralajmëruar rregulla më të ashpra në luftën ndaj virusit që mund të jenë të nevojshme për një periudhë afatshkurtër.

Boris Johnson tha se kufizimet rajonale në Angli ndoshta do të bëhen më të ashpra, ndërsa Britania e Madhe përpiqet të kontrollojë variantin e ri me përhapje më të shpejtë të virusit.

Të dielën, më shumë se 50 000 raste të reja, të konfirmuara Covid, u regjistruan në Mbretërinë e Bashkuar, duke bërë që Laburistët të kërkojnë një bllokim të tretë kombëtar në Angli.

Deri më tani, rreth një milion njerëz në Mbretërinë e Bashkuar kanë marrë vaksinën tjetër të aprovuar, e cila prodhohet nga Pfizer dhe BioNTech.

Vaksina Oxford-AstraZeneca është më e lirë dhe më e lehtë për t’u ruajtur dhe transportuar.