Largimi i Engel nga Kongresi Amerikan, Islami shpjegon arsyet pse ishte pro shqiptar

Largimi i Eliot Engel nga Kongresi Amerikan pas 32 vitesh ka ngjallur reagime të shumta në politikën shqiptare për shkak të mbështetjes së tij ndaj shqiptarëve.

I ftuar në Ditari në A2 CNN, Kastriot Islami ka shpjeguar edhe arsyet kryesore që sipas tij e bëjnë kongresmenin Engel të jetë pro shqiptari më i madh. Sipas tij, një ndër arsyet kryesore është origjina e tij hebreje që lidhet me historinë e hebrenjve në Shqipëri.

 “Engel është politikan amerikan me orgjinë hebreje, që ka lindur në lagjet e varfra ku ka pasur shumë shqiptarë. Serbët janë xhelozë që ne kemi pasur një mik të madh si Engel. Politika amerikane në këto 30 vjet është cilësuar si pro shqiptare. Për shkak të historisë së hebrenjve në Shqipëri, është pro shqiptar. Ka lindur në Bronx, ka qenë në mbrojtje të të drejtave të të varfërve”.

Islami thotë se Kosova humbi një mbështetës të madh në Kongres, por nuk ka arsye që Serbia të festojë, pasi edhe administrata e Biden është mbështetëse e faktorit shqiptar.

Duke folur për situatën në Kosovë Islami thotë se dyshja Kurti-Osmani japin shpresë dhe alternativë për ndryshim.

“Ka një mbështetje të një ndryshimi që ndodhet kudo në Ballkan dhe pritshmëri për të rinjtë në Ballkan. Dyshja Kurti-Osmani japin shpresë dhe alternativë për ndryshim. Gjithçka është në duart e qytetarëve kosovarë për të realizuar ndryshimin që për mua është shumë i qartë”.

Po ndryshim kërkohet edhe në Shqipëri, që sipas Islamit ka dëshirë dhe vullnet të mirë për rrotacion.

“Dëshira për ndryshim vjen nga qytetarë që mërziten nga qeverisja, por realizimi duhet të vijë edhe nga alternativa e re. Kemi parë shumë pak deri tani dhe nuk kemi parë organizmin e politikës së re të ndryshimit. Ky regjim i ka hipur në shpinë popullit. Ndryshimi ndodh kur hiqet qafe regjimi dhe vjen ekipi që jep shpresë”.